Strategjia e Realit

Largohet Bale, ndizet drita jeshile për Mbape. Ky është plani i Zinedine Zidane për të blerë talentin 18-vjeçar francez të Monaco. Trajneri i kampionëve të Europës i ka idetë e qarta, ai synon të afrojë me çdo kusht lojtarin nga Principata. Gareth Bale në këtë rast mund t’i shërbejë qëllimeve të Zidane, pasi uellsiani është një nga objektivat kryesorë të Manchester United dhe vlerës së kartonit të tij mund t’i shtohen disa miliona për të arritur te 18-vjeçari që Monaco e vlerëson 180 milionë euro. Nga treshja e famshme BBC, francezi mund të sakrifikojë vetëm Bale, pasi Ronaldo dhe Benzema janë emra me shumë peshë, ndërsa uellsiani nuk ka arritur të bindë ende me paraqitjet e tij, i kushtëzuar edhe nga dëmtimet e shumta në aventurën e tij madrilene.
I pyetur menjëherë pas humbjes 4-1 ndaj Manchester City në miqësoren e Los Angeles, Zidane u shpreh se shpreson që treshja e sulmit të qëndrojë, por shtoi se deri në datën 31 gusht mund të ndodhë gjithçka, duke lënë të kuptohet se largimi i njërit prej tyre nuk do të ishte një tragjedi. Në krahun tjetër, Jose Mourinho nuk e ka fshehur asnjëherë se Bale është një lojtar që e pëlqen shumë dhe këtë ia bëri të ditur personalisht lojtarit edhe në fillim të sfidës miqësore të pak ditëve më parë.
“Unë nuk mund të të blej sepse ti nuk më flet”, i tha me nota humori “Special One” ish-sulmuesit të Tottenham që me rikthimin e mundshëm në Angli mund të rigjejë dimensionin e tij të vërtetë në një futboll që i përshtatet më shumë karakteristikave të tij. Gjithsesi, Bale vazhdon të këmbëngulë se ndihet i lumtur në Madrid edhe pse kjo mund të jetë një strategji për të hequr vëmendjen nga çështjet e merkatos.
Gjatë ditëve të fundit mediat britanike kanë raportuar se Gareth Bale mund të transferohet në Manchester United, nëse Real Madrid e transferon Kylian Mbapenë nga Monaco.
Por, e përditshmja sportive madrilene “Marca”, ka qetësuar tifozët e Los Blancos. Gazeta madrilene është e sigurt se Bale do të mbetet në “Santiago Bernabeu”. “Marca” ka kontaktuar njerëzit e afërt të Bale, të cilët kanë bërë të ditur se ish-anëtari i Tottenhamit është i etur të arrijë rezultate pozitive me Real Madridin. Bale vitin e kaluar kishte vazhduar kontratën me Real Madridin deri në vitin 2022, derisa kishte paralajmëruar se do të pensionohet te klubi mbretëror.
Sipas të përditshmes sportive franceze “L’Equipe”, drejtuesit e Monacos kanë caktuar çmimin e Kylian Mbapesë. Kampioni i Francës u kanë bërë me dije klubeve të interesuara se Mbape do të shitet vetëm për 180 milionë euro (pa bonuse) dhe për asnjë çmim tjetër. Në garë për ta transferuar yllin e ri të Francës janë: Real Madrid, Barcelona, PSG dhe Manchester City.

Artikulli paraprakOsijek, Eros Grezda shkëlqen kundër PSV
Artikulli tjetërFIFA e UEFA vlerësojnë gjestin Villar