Dritan DEMIRAJ
Prej më shumë se tre vitesh jemi mësuar të shohim dhe dëgjojmë pothuajse çdo ditë në lajme, portale te ndryshme, për vrasjet, prerjet e kokave, shkatërrimin e muzeve, qyteteve turistike, plaçkitjeve dhe masakrave të Shtetit Islamik (SHI) që vepron në Irak, Siri, Libi, Sinai, etj. Në lidhje me përballjen sa më të suksesshme të perëndimit, me strategjitë dhe taktikat e duhura kam bërë disa shkrime në amerikë, por dhe në Shqipëri. Do të dëshirojë që ti ndaja këto mendime dhe me lexuesit e Gazetës RD. Çfarë duhet të bëjë më mirë SHBA, NATO? Si mund të marrin një rol drejtues në këtë fushatë dhe të ushtrojnë një përballje më të fortë kundër këtij grupi terroriste kaq të rrezikshëm, SHBA me partnerët e tjerë të NATOs në mënyrë që të mos lejojnë shkatërrimin e vendeve të Lindjes së Mesme dhe shndërrimin e shteteve të saj në një kaos që mund t’i bëjë dhe më të pambrojtur nga SHI?
Unë gjykoj se përgjigja më efektive kundër SHI është aplikimi i luftës asimetrike, të njëjtën luftë dhe në të njëjtën mënyrë që ata aplikojnë kundër vendeve dhe forcave tona. Fatkeqësisht akoma dhe sot e kësaj dite SHI që nga fillimi i kësaj fushate ka fituar dhe po fiton në vazhdimësi avantazhe nga kjo lloj lufte. Ata kurrë nuk kanë patur si qëllim krijimin e një ushtrie të madhe në numër, me struktura dhe infrastrukturë kombëtare moderne si ushtritë e zakonshme. Ata kanë nevojë vetëm për “Kuranin e Shenjtë”, një armë, municione për të goditur vendet perëndimore, madje dhe kur sulmohen nga forca të mëdha kundërshtare dhe aviacioni i tyre, ata vazhdojnë me vendosmëri luftën asimetrike dhe guerrile.
Që në shekullin e kaluar T.E. Lawrence (anglez që ka jetuar për shumë kohë në Arabinë Saudite) ka deklaruar se arabët nuk janë të përshtatshëm për krijimin e ushtrive të mëdha, por vetëm për luftë guerrile, pra për të sulmuar me shpejtësi me pushkë dhe mbi Deve ose kuaj. Kjo duket qesharake po ta mendosh që ndodh sot në vitin 2017, një terrorist hypur mbi kalë, duke vërtitur një shpatë dhe armën e tij, duke udhëhequr një grup njerëzish me kapuça të zinj në kokë, duke luftuar kundër ushtrive perëndimore, avionëve, helikopterëve dhe tankeve modernë.
Prej disa dekadash e deri në ditët e sotme vazhdojnë të nënvleftësohen luftëtarët që zhvillojnë luftë asimetrike. Ky nënvleftësim filloi që në kohën e luftërave civile në Indi, rrebelimit dhe kryengritjeve në Filipine, luftën e Koresë, Vietnamit, fushatave ruse dhe amerikane në Afganistan, pushtimit të Irakut nga viti 2003 e deri sot, rebelimeve në Jemen, Çad, Somali, Sudan, Mali, Nigeri etj.
Perëndimi ka patur më shumë sukses në grumbullimin e inteligjencës për të gjetur, për të kapur ose vrarë grupet terroriste në Irak, por kemi dështuar në atë që të kuptojmë se çfarë poseidojnë ata që perëndimi nuk e ka, psh: besimin ideologjik se ata “luftojnë për zotin”. Perëndimi është duke u përballur me kërcënimin e SHI jo në mënyrën e duhur. Po ashtu dhe strategjia e Luftës Globale kundër Terrorizmit është një strategji e varfër. Kjo strategji e gabuar, i ngriti ata në statusin e luftëtarëve kombëtarë dhe rriti ndjeshëm numrin e rekrutimeve të tyre kundër perëndimit deri në atë pikë sa 19 persona shkaktuan vdekjen e rreth 3000 civilëve të pafajshëm. Ky sulm çoi në pushtimin amerikan të një vendi të gabuar, Irakut një pushtim që do të çonte në krijimin e SHI.
Një nga mënyrat më të suksesshme të përballjes tonë kundër SHI është që “të luajmë lojën e tyre”: të përdorim luftën asimetrike në avantazhin tonë. Presidenti Obama pas vitit 2014, filloi të merrte disa masa pozitive kundër grupimeve terroriste të SHI, masa të cilat së fundi i kanë mundësuar SHI të mbajë iniciativën vetëm në mediat e saj. Që nga muaji Shtator 2014, SHI ka lëshuar vetëm një ofensivë tokësore në qytetin e Palmirës në Siri, por që atëherë ata kanë humbur mbi 30% të “kalifatit” të tyre. Dihet tashmë fakti që luftëtarët e saj, janë luftëtarë që preferojnë vetëm sulmin kundër objektivave të tyre. Tani që “shteti” i tyre është nën presion të madh nga sulme të vazhdueshme nga SHBA, Rusia, Turqia, Irani dhe Hezbollahu, po i shpërndajnë operacionet e tyre në Libi, Jemen, Egjipt dhe Afganistan.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, tashmë i kanë kuptuar qartë disa komponentë të luftës asimetrike, që nëse SHI kërkon një ndërhyrje me sasi të madhe forcash në terren, ata po bëjnë çdo gjë të mundur që ta shmangin këtë vendim. Në qoftë se (SHI) kërkon konfrontim tokësor në terren, duhet t’i kundërvihemi me anë të përdorimit efektiv të forcave ajrore. Dihet fakti që ata urrejnë në maksimum Shiat, Kurdët, Alawitët dhe Yazidis dhe unë gjykoj se strategjia jonë duhet të jetë stërvitja, pajisja me armë, municione dhe drejtimi i këtyre luftëtarëve në një ofensivë tokësore kundër SHI. Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, deri tani ka realizuar me mijëra operacione nga ajri, së fundi në mënyrë më aktive dhe me forca të operacioneve speciale. Nëse fushata/operacione të tilla me përdorimin e forcave/grupeve vendase (ato të cilat nuk përbëjnë rrezik në të ardhmen për sigurinë kombëtare të SHBA dhe vendeve të NATOs) bashkëpunimin e forcave speciale, forcave ajrore dhe angazhimin e tyre më aktiv në të ardhmen, kjo do të përbëjë një kërcënim serioz për SHI dhe do të shpejtojë shkatërrimin e kapaciteteve të tij. Dislokimi i një sasie të konsiderueshme të Forcave Speciale (FOS) me të gjithë elementët e duhur mbështetës, do të ishte shumë herë më i suksesshëm dhe do kishte impakt më të madh, sesa ideja e pushtimit të Sirisë apo ripushtimit të Irakut me 150.000 ushtarë amerikanë.
Që prej muajit Korrik 2015 e deri në Nëntor 2016, Pentagoni dhe ministria e mbrojtjes ruse llogarisin se janë vrarë në luftim mbi 38000 luftëtarë të SHI nga amerikanët dhe 9000 luftëtarë të SHI nga rusët. Ky është një numër shumë i vogël i terroristëve të vrarë (pak më shumë sesa një i vrarë për çdo sulm) në raport me mbi 30000 sulme ajrore të realizuara nga Forcat Ajrore të NATOs dhe mbi 19.000 sulme ajrore të ushtrisë Ruse (për vetëm një vit përfshirje në këtë konflikt) të vrarë mbi objektet e SHI. Ky numër në pamje të parë duket shumë i lartë dhe përbën gjysmën e sasisë së përgjithshme të luftëtarëve të huaj që luftojnë në Siri dhe në Irak. SHI që prej vitit 2016, ka humbur shumicën e luftëtarëve të tij më të mirë dhe shumica e luftëtarëve aktualë të saj janë tërhequr në detyra rutinë mbrojtje objektesh, ruajtje urash dhe pikash kontrolli përgjatë autostradave. Ata kanë humbur ndjeshëm iniciativën e sulmit, që i karakterizonte në vitin 2014-2015. Vetëm në vitin 2015 SHI ka humbur rreth 20% të territoreve të cilat ishin nën kontrollin e tij, sot (Mars 2017) ka humbur dhe mbi 35% të territoreve të tjera. I vetmi përjashtim mund të thuhet në vitin 2016, kur ata lëshuan një ofensivë të madhe në qytetin turistik të Palmirës në Siri, ofensivë në të cilën përsëri u ndaluan, duke mos arritur të realizojnë objektivin e tyre. Sulmi i forcave të ushtrisë Ruse, iraniane, siriane dhe Hezbollahut i detyroi ata që të kalonin në pozicione mbrojtëse. Po ashtu prej një viti, SHI po humb çdo ditë e më shumë territor dhe në muajin Dhjetor 2016 u detyrua të lëshonte dhe qytetin e Alepos, që tani është nën kontrollin e ushtrisë Arabe Siriane dhe ka humbur pothuajse gjysmën e territorit në qytetin e Mosulit në Irak.
Çdo operacion luftimi pa patur një fushatë globale refuzimi kundër tyre do të ishte e kotë. Terroristët Suni wahabisto/salafistë të financuar nga Arabia Saudite kanë patur hapësirë luftimi në dispozicion të tyre për më shumë se një dekadë. Mposhtja e SHI nënkupton nxitjen në nivel më të lartë të botës Myslimane, në mënyrë që të përjashtojnë “korrupsionin” dhe keq përdorimin ekstrem të Kuranit. SHI ka treguar deri tani se fuqia asimetrike funksionon në të dyja mënyrat. SHI u përpoq që të shkatërronte linjat mbrojtëse të Kurdëve në muajin Dhjetor 2015, duke përdorur mjetet e tyre të blinduara, Toyota 4×4 të mbushura me eksplozivë, por përsëri dështuan. Kjo ofensivë e mposht tërësisht, megjithëse ishte një betejë që zgjati 13 orë, në të cilën u vranë 187 ushtarë të SHI nga përdorimi i Dronit Reaper, avionët dhe mitralozët AC-130. Në të njëjtin muaj, SHI përdori mbi 200 kamikazë dhe përsëri u mposht në Ramadi, Provincën e Nineveh-ut, Alepo, Deir ez-Zor, Palmiras dhe në linjat kundër Kurdëve. Një ofensivë tjetër shumë e fortë ndodhi dhe në Kobani, qytet në zonën kufitare me Turqinë. Kurdët e Sirisë nën mbështetjen e aviacionit amerikan mposhtën SHI në këtë zonë. Ky zhvillim e detyroi ushtrinë Turke të futej me FS, tanke e artileri në thellësi të kufirit Sirian, me qëllim mos lejimin e kontrollit nga ana e kurdëve e zonës që është në kufi me Turqinë ne Operacionin e quajtur “Eufrati Shield”.
Kur Perëndimi të vendosë që të sulmojë SHI me të vërtetë në terma asimetrike, së pari duhet të riformatojë përpjekjet dhe të përdorë natyrën asimetrike të operacioneve speciale dhe të agjensive të inteligjencës në një shkallë më të gjërë. E gjithë kjo duhet të kanalizohet përmes gjithë komponentëve qeveritarë, nga mbrojtja, diplomacia deri tek komunikimi. Këtë lloj strategjia duhet ta quajmë Strategji e plotë e Operacioneve Luftarake kundër SHI.
Duke parë lajmet të cilat transmetohen nga televizionet tona, SHBA, Europë dhe Lindjen e Mesme, krijohet idea sikur perëndimi po kryen një fushatë të plotë ushtarake, politike dhe inteligjence kundër SHI, por e vërteta është ndryshe. NATO vazhdon të përdorë vetëm një pjesë shumë të vogël të aseteve të fuqisë së saj ajrore, një sasi akoma më të vogël të “fuqisë së butë” të diplomacisë, inteligjencës dhe të komunikimit. SHBA-të janë përfshirë në këtë luftë, por kolegët e tyre Europianë nuk janë përfshirë dhe asimetriciteti i aleancës perëndimore as që po merret në konsideratë dhe nuk po përdoret fare, gjë që i ka bërë SHBA-të ti kenë në një farë mënyre duart e lidhura dhe ta zgjidhin çdo problem vetëm. SHBA-të janë të limituara jo vetëm sa i përket rregullave të angazhimit dhe shqetësimit për mos vrasjen e civilëve të pafajshëm. Megjithë këto limite, SHBA-të dhe Rusia përsëri i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme SHI, por ata (SHI) kanë një veçori, janë të durueshëm dhe presin me qetësi zhvillimet e ardhshme. Ajo që është e rëndësishme për tu kuptuar, është aftësia organizative e kësaj organizate për të sjellë në vëmendjen e tyre, mësimet e nxjerra nga historia 1436 vjeçare dhe aplikimi i tyre në mënyrë të shpejtë në fushat e betejës. Në kontrast, publiku amerikan dhe mediat e tij të lajmeve nganjëherë harrojnë se SHBA-të luftuan për rreth 8 vite kundër komandantëve dhe lejtnantëve të grupit që atëherë quhej al-Qaeda në Irak, të cilët sot janë komandantët e niveleve më të larta të SHI.
Ajo që duhet të ndodhë sipas meje është se sa më shpejt që të jetë e mundur duhet të planifikohet dhe zbatohet një fuqi asimetrike, e cila mendoj se duhet të jetë relativisht lehtësisht e zbatueshme në praktikë dhe sigurisht pak e kushtueshme politikisht dhe nga ana operacionale sesa një pushtim nga toka. Nivelet më të larta të institucioneve të sigurisë kombëtare, duhet të formulojnë një strategji gjithëpërfshirëse, e cila të përfshijë aplikimin e një serie masash të zbatueshme të fuqisë së butë dhe të fortë, me qëllim shkatërrimin e këtij grupi të fuqishëm terrorist. Ne nuk duhet ta godasim SHI vetëm me sulme ajrore, por në të njëjtën kohë të dislokojmë një forcë jokonvencionale tokësore të dizenjuar që të marrë të gjithë iniciativën në të gjitha territoret që sundon SHI, në mënyrë që ta detyrojmë të kuptojë se SHI do të shkatërrohet. Duhet mposhtur me të gjitha format aftësia e SHI që të rikrijojë një ndryshim kulturor, diplomatik dhe financiar në sejcilën zonë ku vepron, me qëllim që të rimbajë sigurinë, fuqinë dhe jetesën e tij në këto territore.
Aplikimi i Strategjisë së plotë të Operacioneve Luftarake kundër SHI do të ndihmojë jo vetëm t’i godasim terroristët duke realizuar operacione speciale dhe me forcat ajrore, por gjithashtu duke realizuar dhe marrëveshje e aleanca të fuqishme diplomatike. Tani e rëndësishme është riongazhimi i politikës, i diplomacisë amerikane dhe europiane për Lindjen e Mesme, pas zgjedhjes së Presidentit Trump, me një qasje tjetër nga ajo që është aplikuar vitet e fundit, me ide më të mira dhe të vlefshme që të aplikohen për një kohë të gjatë. Për sa i përket përpjekjeve të Departamentit të Shtetit për të qënë më të suksesshëm, i gjithë stafi i tij dhe i diplomacisë perëndimore Europiane, duhet t’i drejtohet shteteve myslimane me fjalët “bashkohuni me ne që të gjithë së bashku të mbrojmë Islamin dhe të shkatërrojmë SHI në të gjithë botën ku ai vepron”. Operacionet e Departamentit të Mbrojtjes, misionet e saj të inteligjencës dhe të luftës kundër ideologjike, duhet të jenë pjesë e mesazheve që duhet të vinë të gjitha së bashku si një pjesë e strategjisë të përgjithshme me shtatë elementët e saj të rëndësishëm ushtarak: Zbulo, Moho, Degrado/pakëso, Përçaj, Mposht, Mashtro dhe Diskretitoje kundërshtarin tënd.
Bota myslimane përbëhet nga 1.8 miliardë qytetarë të cilët kërkojnë mundësi më të mirë ekonomike, shtëpi më të mira, familje të shëndosha dhe të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Ata kanë besim në Zotin e tyre dhe në çdo qeveri, e cila iu siguron stabilitet, respekt dhe përfaqësi.
Ata kanë jetuar në paqe për 14 shekuj me radhë në botën e tyre, kanë bërë zbulime shkencore spektakulare, kanë një kulturë të jashtëzakonshme, kanë bërë shpikje shkencore shumë përpara Europës, Azisë dhe pjesës tjetër të botës. Islami është fe e lindur nga luftërat e fiseve në shkretëtira, e cila më pas u shndërrua në një fe paqeje dhe bashkë ekzistence me gjithë pjesën tjetër të botës që tani është në rrezik të madh. SHI po sfidon të gjithë këto arritje shekullore, arti, kulture dhe tolerance. Duke keqpërdorur në ekstrem formën e jashtme të kësaj feje, SHI përbën një kancer që po përhap metastazat e tij në të gjithë rajonin, por dhe më gjerë. E vërteta është se në SHBA, Kanada dhe në një pjesë të madhe të vendeve të zhvilluara të Europës, feja Islame ka shkaktuar urrejtje dhe po fajëson njerëzit e pafajshëm për këtë “copëz” kanceri, të cilën të gjithë bashkë duhet ta ç’rrënjosim. Kur dëgjojmë lajmet përditë në NBC News, CNN, BBC, Fox News, ABC News, etj politikanë, analistë dhe shumë personalitete nga perëndimi thjesht deklarojnë se SHI duhet zhdukur dhe madje urgjent, por asnjëri nuk flet se si? Kush? Kur? Ku? SHI e ka vendosur që në shekujt përpara kur ekzistonte Perandoria e Lashtë Myslimane, fenomeni kompleks që krijoi kufinjtë dhe krijoi burokraci dhe perandorinë, do të zhduket në flakë dhe do të mbulohet me gjak.
Kolonel, Michigan, USA