Strazimri: Rama u refuzua në mënyrë plebishitare, nuk e shpëtuan dot as kamikazët e tij në KQZ

Ish-deputeti Gent Strazimiri në një dalje për mediat dekori se “asnjë alibi nuk fsheh dot krimin e Komisionit Qendror të Vjedhjeve për manipulimin e pjesëmarrjes në 30 Qershor”.

“Qëllimisht, për të zhdukur gjurmët e manipulimit, të dhënat nuk u nxorën nga sistemi online i përpunimit të të dhënave”.

“Asnjë alibi, as nga Komisioni Qendror i Vjedhjeve, as nga Prokurorisa nuk mbulon të vërtetën se Edi Rama u refuzua në mënyrë plebishitare”.

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, GENT STRAZIMIRI

Komisioni Qëndror i Vjedhjeve nuk ka asnjë alibi për të fshehur krimin e manipulimit të pjesëmarrjes në votimet moniste, të paligjshme dhe antikushtetuese të 30 qershorit.

Kamikazët e Komisionit Qendror të Vjedhjeve janë përfshirë me vetëdije në këtë krim masiv, të orkestruar nga Edi Rama.

Ndryshe nga çdo herë të tjetër, Komisioni Qendror i Vjedhjeve nuk i ka nxjerrë të dhënat e pjesëmarrjes në votime nga sistemi online i përpunimit të të dhënave, por nga telefonatat e një grupi informal në KQZ- drejtuar nga militant të Partisë Socialiste.

Kjo mënyrë, e zgjedhur për të mos lënë gjurmët e manipulimit në sistemin e të dhënave, zhbën alibinë e trashë të KQZ-së për të fshehur krimin e manipulimit të numrit të pjesëmarrësve.

Nuk ka ndodhur kurrë më parë, në asnjë palë zgjedhje, sado të kontestuara të kenë qenë ato, që të ketë mospërputhje të tilla masive me shifrën zyrtare të pjesëmarrjes me votat që gjenden në kuti.

Ky është një proces i diskretituar. Është një proces nul, jashtë çdo standardi minimal demokratik.

Është për të ardhur keq, që edhe prokuroria, siç pritej, u bërë hapur pjesë e kësaj farse, duke mos hetuar as krimet e reja zgjedhore, të denoncuara nga opozita dhe nga media gjatë këtyre dy ditëve.

Është flagrante që prokuroria akoma nuk ka trokitur në derën e Partisë Demokratike për të kërkuar videon që e ka parë e gjithë bota, ku një grup i strukturuar kriminal nga Partia Socialiste bleu një vajzë të re për të votuar Edi Ramën dhe Erion Veliajn tek Njësia 9 në Tiranë.

Deri tani nuk ka asnjë reagim nga prokuroria për aktin kriminal të blerjes së votës, siç nuk ka patur këto tre vjet me dosjet e tjera të masakrave elektorale të organizuara nga Edi Rama.

Asnjë alibi, as nga Komisioni Qendror i Vjedhjeve, as nga Prokuroria nuk mund ta mbulojë dot të vërtetën se Edi Rama u refuzua në mënyrë plebishitare nga shqiptarët.

30 Qershori dhe dita pas tij provuan përtej çdo dyshimi se, me Edi Ramën, Shqipëria nuk ka asnjë shans të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Artikulli paraprakTabaku nxjerr bllof zarin e Velinës: 85% e shqiptarëve refuzuan Ramën e Veliajn
Artikulli tjetërOSBE/ODIHR rrëzon 30 Qershorin: Nuk kishte zgjedhje, votuesit nuk ishin të lirë të votonin