Famullia e Shën Mhillit në qytetin e Laçit ka vënë në dispozicionin e të prekurve nga tërmeti te gjithë ambientet e saj. Në oborrin përballë kishës është vendosur një çadër e madhe nga disa bamirës kosovarë. Në çadër me dhjetëra banorë kalojnë ditën e natën. Kjo famulli ka vënë në dispozicion edhe mensën që përdoret për të varfrit e qytetit. Në këtë mensë çdo ditë ushqehen rreth 80 persona të grup-moshave të ndryshme.
Pranë kësaj famullie janë ofruar një grup të rinjsh vullnetarë, të cilët punojnë pandërprerje ditë e natë në shërbim të komunitetit të Laçit. Vlen këtu të përmendet edhe ndihma e pakursyer e motrave “Bijat e Dashurisë Hyjnore” që janë banuese në qytetin e Laçit, të cilat ndihmojnë me gatimin në mensë dhe me argëtimin e fëmijëve, të cilët për momentin janë të pastrehë. Famullitari fra Ndue Toplana së bashku me zëvendës famullitarin fra Sokol Pepushaj janë gjendur gjithnjë pranë njerëzve në këto ditë të vështira për qytetin e Laçit.
Kishës së Shën Mhillit i janë ofruar ushqime nga donatorë te ndryshëm. Famullia e Shën Mhillit gjen rastin t’u bëjë thirrje të gjithë shqiptarëve të kenë unitet dhe dashuri për Zotin dhe njëri-tjetrin. Fra Ndue Toplana falënderon dhe lutet për të gjithë bamirësit, vullnetarët, deputetin e zonës, z. Gjetan Gjetani dhe familjen presidenciale, të cilët u janë gjendur pranë banorëve në këto ditë të vështira. Zoti ynë Jezu Krishti jua shpërbleftë me të mira dhe begati në familjet e tyre.
Lulzim Dedgjonaj