Kevin Strootman pezullohet me dy ndeshje nga gjykatësi sportiv në Itali për sjellje antisportive. Mesfushori holandez i Romës është dënuar pas shqyrtimit të provës televizive për simulimin që bëri në rastin e penalltisë së fituar nga skuadra e Spalletit në pjesën e parë dhe që solli golin e barazimit të Daniele de Rossit. Edhe pse Bastos nuk e preku aspak holandezin, Strootman me lëvizjen që bëri në zonë, mashtroi gjyqtarin Orsato, i cili akordoi një 11-metërsh të paqenë në favor Romës. Simulimet nuk lejohen në futboll dhe për këtë gjest të tij në derbin e kryeqytetit italian, mesfushori holandez i skuadrës verdhekuqe do të humbasë dy ndeshjet e radhës në kampionat.
Me Romën që është në garë me Napolin për vendin e dytë mungesa e Strootman do të ndihet shumë në sfidat ndaj Milanit dhe Juventusit. Asnjë masë ndëshkuese për mesfushorin tjetër të Romës, Daniele de Rossi. 1 ndeshje skualifikim edhe për Sulley Muntarin që la fushën e blertë në ndeshjen mes Cagliari-t dhe Pescarës për shkak të koreve raciste nga ana e tifozëve vendas në drejtim të tij.