Ndërkohë që protesta e studentëve përpara Parlamentit sapo u mbyll, njëri nga studentët që mori pjesë thas për Televizionin Fax News se nuk e sheh aspak të logjikshme hyrjen në mësim dhe braktisjen e protestës nga ana e disa studentëve.
Andi Vrapi shpjegoi edhe arsyen pse vendosën që gjatë ditës së sotme të protestonin përpara Parlamentit:
“Ne erdhëm këtu sot vetëm për të bërë një përshëndetje dhe më pas do të rikthehemi në fakultete ku edhe do të vijojmë ngujimin dhe bojkotimin”.
Sipas studentit, nuk mund të shkojë dëm gjithë ajo frymë që shoqëroi protestën e tyre gjatë muajit të shkuar.
Lidhur me zgjidhjen që ka ofruar qeveria për situatën në të cilën ndodhen studentët, atë të “Paktit për Universitetin” ai tha se e interpretonte si “pak për Universitetin”, sepse sipas tij ai nuk ofron një zgjidhje përfundimtare.
Ai foli edhe për rikthimin e disa studentëve nëpër auditoret e fakulteteve duke nisur kështu procesin mësimor. “Disa studentë janë kthyer në fakultete për të bërë mësim sespë disa kanë frikën e mungesave, disa të tjerë duan ti mbyllin studimet sa më shpejt dhe disa janë në prag të diplomimit dhe nuk duan të kenë probleme me finalizimin e diplomimit. Por unë ju them atyre se me këtë lloij sistemi arsimor ajo diplomë nuk ju hyn në punë as në tualet”.
Andi Vrapi ftoi të gjithë studentët që të mos e braktisin frymën që nisi në dhjetor deri në realizimin e të gjitha kërkesave të tyre. Sipas tij, nuk i ngjan dita-ditës, për aq kohë sa kërkesat nuk janë plotësuar nuk ka asnjë arsye që të fillojnë frekuentimin e mësimit.