Mëngjesi i kësaj të hëne është shoqëruar me përplasje në dyert e universiteteve, ku në Tiranë, në shumicën e fakulteteve nuk janë lejuar që të hyjnë studentët e pavaksinuar.
Rreth orës 10:00, studentët u grumbulluan përpara Ministrisë së Arsimit, ku kundërshtuan vendimin për t’u lënë jashtë auditoreve.
Ata shprehen se e drejta e arsimit është një e drejtë kushtetuese, dhe nuk mund të tjetërsohet nga asnjë vendim qeverie.
Prej mëngjesit të sotëm në të gjithë vendin, universitetet janë duke mbajtur qëndrime të ndryshme sa i takon futjes së studentëve të pavaksinuar në auditore. Në Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Durrës lejohen të hyjnë në auditore dhe studentët e pavaksinuar.
Ndërkohë në Vlorë, Shkodër dhe në Tiranë, studentët e pavaksinuar nuk do të lejohen që të hyjnë në auditore.
Studentët që nuk janë vaksinuar kundër Covid-19 kanë nisur nënshkrimin e një peticioni për sigurimin e testeve PCR falas për ta.