Studentët e Universitetit Bujqësor në Institut kanë dalë sot në protestë ashtu si pjesa më madhe e studentëve të Universiteteve Publike në vend.
Ata kanë marshuar nga Universiteti Bujqësor drejt autostradës Tiranë-Durrës, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve.
Këshillat Studentore të Universiteteve Publike i janë drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku paraqesin 4 kushtet e tyre. Ata i kanë lënë afat Ministrisë së Arsimit deri në orën 16:00 të ditës së sotme që të kthejë përgjigje për kërkesat e tyre.
Katër kushtet e studentëve drejtuar MASR:
1. Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila citon si më poshtë:
Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.
2. Mbështetur në nenin 99 mbi Keshillet studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
3. Përmiresimi i kushteve të konvikteve.
4. Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji I arsimit të Lartë).