Studentët paralajmërojnë protestë më të madhe të enjten

Studentët paralajmërojnë një protestë akoma edhe më të madhe ditën e enjte. Shumë studentë edhe nga qytete të tjera pritet që të mbërrijnë në Tiranë për t’iu bahskuar lëvizjes e cila kërkon heqjen e gjobave të qeverisë ndaj studentëve dhe uljen e tarifave.
Mijëra student rrethuan ministrinë e Arsimit në një protestë që zgjati për më shumë se pesë orë duke paralajmëruar qeverinë se në rast se nuk tërhiqet nga vendimi i marrë për rritjen e tarifave studentore atëhere protesta e tyre do të radikalizohet.
Lëvizja “Për Universitetin”, me anë të një postimi në rrjetet sociale, i ka kthyer përgjigje kryeministrit, ndërsa e kritikojnë për këshilltarët, që sipas tyre nuk kanë kulturë juridike.
“Përgjigje kryeministrit:
1. Nivelin e financimit të universiteteve publike dhe tarifën maksimale e vendos qeveria. Rrisni buxhetin dhe ulni tavanin! Pastaj universitetet mund të propozojnë uljen e tarifave.
2. Në vitin 2014 tarifat janë rritur sa për pesë vite të mëparshme rresht. Përveç kësaj, ne kërkojmë përgjysmimin e tyre deri në realizimin e parimit arsim publik falas. E kupton logjikën apo ke nevojë për një orë leksioni?!
3. Ne nuk jemi mbetës. Jemi mijëra studentë që punojmë dhe studiojmë fort. Prandaj shumë prej nesh zgjedhin t’i shtyjnë provimet, që të kemi mundësi të studiojmë më shumë.
4. Ne do të jemi gjallë edhe vitin tjetër. Siç do të futen në universitete dhjetëra mijëra studentë të tjerë. Ne luftojmë edhe për ta.
5. Rishikimin e v.k.m. e bën autoriteti që e ka hartuar, jo universitetet. Nuk ke një këshilltar që ka pak kulturë juridike?!”

Exit mobile version