Studentët dhe aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin” kanë vepruar sërish kundër politikanëve. Kësaj radhe, “viktimë” ishte kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj që me bisht ndër shalë është larguar nga ambientet e atij institucioni që duhet të mbetet i papërlyer. Prania e një personi si kryebashkiaku i Tiranës, një person që bëri gjithçka për të mbyllur hetimet për vdekjen e një minoreni në fushat e plehrave pronë e Bashkisë, gjithashtu ofendon simbolikën që ai qytet ka. Ndërkohë që me ligj ndalohen takimet politike në një institucion të depolitizuar.
Të rinjtë e FRESSH kishin organizuar një takim me Veliajn pasditen e djeshme, në një nga sallat e Universitetit të Tiranës. Por, ky takim është detyruar të anulohet nga organizatorët për shkak të rezistencës së studentëve. Këta të fundit nuk lejuan që FRESSH dhe Erion Veliaj të zhvillonin takime politike në ambientet universitare, siç në fakt e ndalon edhe ligji. Megjithatë, ka qenë këmbëngulja e aktivistëve të kësaj lëvizjeje, që nuk lejuan të shkelet ligji për takimet politike në ambientet e universitetit.
“Në shkelje të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe Rregullores së Universitetit të Tiranës, që ndalojnë veprimtaritë politiko-partiake në mjediset universitare, sonte në orën 17:00 ishte parashikuar të mbahej një takim me kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i organizuar nga FRESSH-i. Një grup aktivistësh të Lëvizjes “Për Universitetin” u futën në sallën e takimit për t’i përballur organizatorët me shkeljen e ligjit dhe rregullores, si edhe për t’i kujtuar zotit Veliaj përgjegjësinë e tij (jo vetëm) politike për vrasjen në punë të Ardit Gjoklajt, të riut që punonte skllavërisht në landfillin e Sharrës që të kishte mundësi të vazhdonte shkollën. Përderisa dyert e jetës dhe universitetit janë të mbyllura për Arditët, nuk kanë pse të jenë të hapura për pushtetarët keqbërës. Për shkak të këmbënguljes sonë, takimi u anulua. Rezistenca sjell efekte. Sonte, Universiteti i Tiranës ka një turp më pak në fytyrën e vet”, shkruan në Facebook lëvizja “Për Universitetin”. Kujtojmë se kjo lëvizje, 1 muaj më parë sulmoi ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, duke i hedhur salcë në kokë.