Studentët, Rama nuk do të mund ta ndalë dot këtë zemërim të shpërthejë

Nga Kastriot Islami

Edi Rama në Tëitter gënjen e mashtron për gjithçka shkruan, edhe së fundmi sonte. Madje mënyra tinzare me të cilën ai iu qas kërkesave të studentëve, duke iu referuar VKM së tij qesharake është ofenduese e arrogante, e në realitet përfaqëson dhunën e një qeverie mediokër për inteligjencën e studentëve.
Rama në mënyrë tinëzare bën sikur s’i kupton hallet e shqetësimet e studentëve dhe prandaj në mënyrë hileqare i shmanget të vërtetës duke i dhunuar e kërcënuar tudentët me fjalorin turkoshak e rrugaçëror të ‘kadrinjeve’ për ti nënshtruar e friksuar që ata të mos protestojnë.
Rama për shkak të nivelit mediokër të formimit të tij apo mungesës së arsimimit të tij dhe ministrave të tij është i paaftë për tu përballur me shqetësimet e problemet e studentëve, prandaj nuk takohet e bisedon me studentët por bën monolog në Tëitter apo llogje e shfaqje teatrale me ‘kukullat’ e manekinët e tij vartës.
Rama vazhdon ti mashtrojë e gënjejë studentët. Vazhdon të dhunojë inteligjencën dhe ndershmërinë e tyre. Por çdo ditë e më shumë të gjithë studentët e kanë gjithnjë e më të qartë se çfarë përfaqëson Rama dhe qeveria e tij dhe askush as mashtrohet nga gënjeshtrat e tij dhe as nuk frikësohet nga kërcënimet e tij…
Sepse…

Studentët pa përjashtim e kanë të qartë se Rama ka vrarë parimin e meritës, pra më i miri, më i afti, më i talentuari, më punëtori, më i ndershmi, nuk promovohen. Çështja e tarifave është vetëm maja e ajsbergut…
Studentët s’kanë më as më të voglin dyshim se Rama promovon mediokrin, injorantin, hajdutin, kriminelin, trafikantin, servilin, sejmenin, sekserin dhe në asnjë rast të diturin, të aftin, të talentuarin, të ndershmin…
Studentët s’janë më naivë të mos kuptojnë se e tashmja dhe e ardhmja e tyre është në duart e të pashkollëve apo shkollëpakëve, të sharlatanëve dhe maskarenjve që Rama i vlerëson jo nga performanca e suksesi por nga numri i ‘likeve’ në rrjetet sociale dhe nga numri i daljeve në media në mbrojtje të tij apo agresiviteti i tyre për të sharë e ofenduar ata që kundërshtojnë liderin e tyre suprem…
Studentët diskutojnë cdo ditë mes tyre se shtetin pra edhe jetën e të ardhmen e tyre e drejtojnë individë me diploma të blera, me grada e tituj plagjiaturë, me certifikata false, pa formim apo me formim të dyshimtë, dhe janë bërë deputetë, ministra, drejtorë të rëndësishëm e shesin mënd nëpër ekrane e media se RAMA ka ngritur në piedestal të Keqen si model Suksesi…
Studentët përballen çdo ditë me realitetin e pakundërshtueshmë se në qeverinë Rama nuk gjen dot punë nëse se je i aftë, punëtor, i talentuar, i ndershëm… dhe askush nuk të hap dyert e punësimit nëse nuk je Rilindas, hajdut, servil, mjaftist, 99-nënsh, pervers, i degjeneruar…

Studentët përjetojnë çdo ditë kushte të vështira në çdo aspekt, ata për shkak të vështirësive financiare e tarifave shumë të larta për studimet, për provimet, për librat, për strehimin, për ngrohjen, e tjerë, ata janë të detyruar të hanë keq, të flenë keq, të vishen keq, të ngrohen keq, të lahen keq, të arsimohen keq, të studiojnë në kushte të këqija, të mos kenë mundësi të argëtohen e qetësohen, e tjerë e tjerë, thënë me një fjalë të vetme të keqtrajtohen, dhe për të gjitha këto ata fajësojnë Ramën e qeverinë e tij, që i mashtroi se fundmi dhe vendimet e nxjerra nga qeveria e tij apo ligjet e miratuara me arrogancë nga maxhoranca e kazermës.
Studentët po ashtu përballen çdo ditë dhe në çdo hap të jetës së tyre studentore me padrejtësi të shumta, indiferencën, por edhe me arrogancën, mashtrimet, premtimet e rreme e dhunën e ushtruar nga të gjithë nivelet e qeverisjes që fillon me Ramën, e vazhdon me ministrat e drejtorët e përfundon te sekretarja e roja e konviktit.
Studentët janë të tronditur që Rama për më tepër nuk është njerëzor me ta, por tallet me ta, i ofendon ata, kërkon tu mbyllë gojën, ti pengojë të protestojnë, i godet me policë e madje edhe i dënon e arreston…

Studentët nuk duan më të takojnë Ramën, të dëgjojnë mashtrimet e gënjeshtrat e tij. Ata nuk dëshirojnë t’ia drejtojnë kërkesat e tyre kësaj qeverie shurdhe e memece. Ata nuk pranojnë më të negociojnë me këtë qeveri që preferon të bashkëpunojë me hajdutët, kriminelët e trafikantët e tallet me studentët, profesorët, të ndershmit.
Shumë shpejt, ata me shumë gjasa do të kërkojnë largimin e tij dhe të qeverisë së tij sepse janë të bindur se kjo qeveri nuk ka as vullnetin, as dëshirën dhe as e aftësitë e kapacitetin për të zgjidhur problemet e hallet e studentëve të grumbulluara prej vitesh por që kjo qeveri i ka thelluar.
Zemërimi dhe pakënaqësia e studentëve kanë arritur kulmin, aty ku s’mban më, dhe është gati në shpërthim për të mos thënë që ka tashmë ka shpërthyer… Ata nuk durojnë më se e ardhmja e tyre po vritet.
Rama nuk do të mund ta ndalë dot këtë zemërim të shpërthejë dhe nëse do të tentojë ta pengojë ajo do të shndërrohet në një cunam të papërmbajtshëm me pasoja të paparashikueshme për Ramën dhe qeverinë e tij anti-studentore. Ai mund ta shtyjë edhe pak kohë me mashtrime e gënjeshtra por me çmimin e komplikimit të fundit të tij.

Artikulli paraprakStudentët injorojnë Ramën: Nuk ke një këshilltar që ka pak kulturë juridike?!
Artikulli tjetërRonaldo refuzon Perezin