Shëtitjet e gjata mund ta zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit me 10%, sipas një studimi të Institutit të Kërkimit të Kancerit në Londër.
Aktivitete të tilla, si ecja, çiklizmi dhe ushtrime tjera sportive, mund ta zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të sëmundjes vdekjeprurëse para menopauzës. “Kjo është vetëm një nga një seri provash që aktiviteti fizik është i mirë për shëndetin. Studimet tona kanë treguar se aktiviteti më i madh mund të çojë në një zhvillim më të dobët të kancerit të gjirit në periudhën para menopauzës”,-është shprehur Dr.Michael Jones, hulumtues kryesor.
Lidhja biologjike midis aktivitetit fizik dhe zhvillimit të sëmundjes është ende duke u përcaktuar. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga viti 2020, kanceri i gjirit është diagnostikuar te 2.3 milionë gra në mbarë botën, ndërsa në të njëjtin vit janë regjistruar 685.000 vdekje. Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se ecja deri në gjashtë orë e gjysmë në javë mund ta zvogëlojë rrezikun e kancerit deri në 30%. Hulumtimi i fundit që u botua në Journal of Clinical Oncology, u krye në 19 vende të botës dhe u përfshinë 547.601 gra para menopauzës.
Vitet e fundit, kërkimet shkencore janë fokusuar në lidhjen mes mjedisit dhe shëndetit dhe një provë na vjen nga Kongresi i Shoqatës Evropiane të Onkologjisë. Gratë që punojnë dhe jetojnë në mjedise me nivel të lartë ndotjeje, nga ajri te grimcat e pluhurit kanë më shumë gjasa të preken nga kanceri i gjirit se ato që punojnë dhe jetojnë në zona më pak të ndotura.
Të dhënat treguan një lidhje midis ekspozimit afatgjatë ndaj ajrit të ndotur dhe grimcave të pluhurit në shtëpi, punë dhe riskut për t’u prekur nga kanceri i gjirit. Në studim, ekspozimi ndaj ndotjes në shtëpi dhe vendit të punës te 2,419 gra me kancer gjiri u krahasua me atë të 2,984 grave pa kancer gjiri nga viti 1990 deri në vitin 2011. Rezultatet treguan se rreziku i kancerit të gjirit u rrit me 28% kur ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit u rrit me 10 μg (mikrogramë) /m3./Tar