Studimi i Harvardit: Korrupsioni qeverisë në nivele të frikshme

Një studim i Universitetit prestigjioz të Harvardit ka dalë në përfundimin se niveli i lartë i korrupsionit qeveritar është duke penguar zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Deklarata vjen pas një vrojtimi të kryer drejtpërdrejtë mbi bizneset shqiptare në tetor të vitit të kaluar.
Vrojtimi është kryer nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar, Departamenti kryesor i Universitetit të Harvardit që merret me kërkime për zhvillimin e qëndrueshëm ndërkombëtar.
“Intervistat tona tregojnë se, korrupsioni shihet si i kudogjendur nga bizneset shqiptare dhe ndodh në të gjitha nivelet e qeverisjes”, thuhet në vrojtim.
Sipas Universitetit të Harvardit, bizneset kanë treguar një sërë kanalesh përmes të cilave preken nga korrupsioni, duke përfshirë rregulloret e paqarta dhe marrëdhëniet e shpeshta mes zyrtarëve dhe biznesit.
“Në mënyrë të ngjashme firmat raportojnë se zyrtarët u kërkojnë ryshfet edhe për funksionet themelore të qeverisë si aprovimi i standardeve të cilësisë”, thuhet në vrojtim.
Ndërsa rastet më të shpeshta të ryshfetit vihen re në procedurat e prokurimit ose kur bizneset aplikojnë për grante shtetërore.
Ai i Harvardit nuk është vrojtimi i vetëm që tregon se biznesi paguan taksë të rëndë ryshfeti në Shqipëri. Një tjetër vrojtim i financuar nga Bashkimi Europian në fund të vitit të kaluar, gjeti se niveli i korrupsionit në Shqipëri është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit.
Sipas vrojtimit, gati gjysmës së popullsisë mbi 18 vjeç në Shqipëri i është kërkuar të paguajë ryshfet dhe 40 për qind e saj është detyruar të paguajë. Kjo shifër është përkeqësuar me 5 pikë përqindje krahasuar me dy vjet më parë, që do të thotë se niveli i korrupsionit në vend është rritur ndjeshëm.

Exit mobile version