Vaksina për fruthin, shytat dhe rubeolën nuk e rrit rrezikun e zhvillimit të autizmit dhe nuk shkakton autizëm te fëmijët që janë të rrezikuar. Në këtë përfundim ka arritur një studim i ri, ku janë përfshirë më shumë se 650 mijë fëmijë.
Shkencëtarët analizuan të dhënat nga regjistri i popullsisë për të vëzhguar nëse vaksina MMR kishte rritur rrezikun për zhvillimin e autizmit te fëmijët e lindur në Danimarkë mes viteve 1999 – 2010.
Më shumë se 650 mijë fëmijë u monitoruan deri në gusht të vitit 2013, ku shkencëtarët dokumentuan diagnozat me çrregullim të spektrit të autizmit, si dhe faktorët e rrezikut: mosha e prindërve, diagnoza e autizmit te vëllai apo motra, lindja e parakohshme dhe pesha e ulët në lindje.
Më shumë se 95% e fëmijëve kishin marrë vaksinën MMR, dhe 6517 u diagnostikuan me autizëm. Sipas shkencëtarëve, vaksina MMR nuk e rriti rrezikun e zhvillimit të autizmit te fëmijët që nuk konsideroheshin të rrezikuar nga ky çrregullim i spektrit të autizmit.
Ndër debatet e nxehta në rang global, është dhe ai mbi vaksinimin, rolin e këtij procesi në shëndetin e fëmijës, ku ka zënë vend jo pak ideja se prej tij vjen dhe autizmi. “Vazhdon diskutimi nëse vaksinat shkaktojnë autizëm, sidomos në mediat sociale”, thekson Anders Hviid, autori kryesor i studimit, nga Instituti “Statens Serum” në Danimarkë.
Miti për lidhjen e vaksinave me autizmin u përhap në vitin 1998 nga një studim i kryer nga Andrew Wakefield, i publikuar në revistën mjekësore The Lancet. Wakefield u hodh në gjyq nga kompanitë që prodhonin vaksinën MMR, dhe në vitin 2010 ai humbi licencën mjekësore.
Në vitin 2011, revista mjekësore The Lancet përgënjeshtroi studimin pasi hetimet treguan se Wakefield kishte ndryshuar ose keqprezantuar informacionet e 12 fëmijëve që ishin bazë për rezultatet e këtij studimi. Një sërë studimesh të kryera më vonë nuk kanë gjetur deri tani një lidhje mes vaksinave dhe autizmit.