Vetëm nga konsumi i 100 gramë bukë shumë persona në Shqipëri marrin afro gjysmën e sasisë së kripës se rekomanduar në ditë. Kjo sipas një studimi që specialistë të shëndetit publik kanë kryer në furra të bukës në nëntë qarqet kryesore të vendit.
Por bashkë me kripën e marrë nga ushqime të tjera, Organizata Botërore e Shëndetësisë i rendit shqiptarët ndër popujt që kalojnë sasinë e lejuar deri me dyfish.
“Rreth 11.6% e kampioneve që ne kemi marrë në studim e kalojnë 2% ndërsa 19.6% janë 1.2 deri në 1.4 % kripë në bukë. Shihet që edhe brenda një furre buke ne kemi një sasi kripe dhe 2% dhe 1.2%.
Vetë ekzistenca e një sasie mbi 2% në bukë në shumë kampione duhet të luftojmë në mënyrë që kripa të mos përdorët në sasi të patolerueshme nga personat pasi sasinë e kripës në bukë ne nuk e kontrollojmë dhe ndërkohë konsumojnë dhe kripë me produkte të tjera”, tha kimistja Enkelejda Kadiu për abcnews.
Një person duhet që të konsumojë rreth 5 gramë kripë në ditë gjë që shpesh në Shqipëri duke menduar dhe traditat dhe mënyrën e të gatuarit nuk është shumë e zbatueshme se ka që dhe mund konsumojnë mbi 7, 8 gramë në ditë deri në 10 gramë.
Përdorimi i kripës tej normave shoqërohet me një sërë problemesh shëndetësore.
Arsye kjo që specialistë të shëndetit publik po përgatisin një paketë masash përfshirë uljen e standardit shtetëror për sasinë e kripës në bukë.
“Në fakt ne kemi një standard shtetëror që nuk ka lëvizuar prej vitit 1980 ai rezulton deri në 2% kripë në bukë. Ne kemi shumë probleme dmth me impaktin që kemi në shëndetin e njeriut duhet të zvogëlohet patjetër. Kripa ka impakt direkt në shëndet, problemet e zemrës, me mëlcinë, me veshkat. Sipas direktivave europiane ne duhet të konsumojmë 1.2 -1.4 gramë kripë në 100 gramë bukë që i bie 1.2 deri 1.4% kripë”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka rekomanduar shteteve që të ndërmarrin politika me qëllim që popujt deri vitin e ardhshëm të reduktojë sasinë e kripës deri në tre gramë në ditë për person dhe prej bukës të mos merret më shumë se 1.4% e saj. Masë kjo që sipas specialistëve të shëndetësisë do të ulte barrën e sëmundjeve jo të transmetueshëm dhe do të reduktonte rreth 1.8 milion vdekje çdo vit.