Një e treta e popullsisë e ka braktisur Shqipërinë që nga viti 1991. Në dekadën e fundit të shekullit të 20 (1991-2000) një valë masive emigracioni që kishte si destinacion Italinë dhe Greqinë ndodhi për shkak të dy faktorëve kryesorë: kolapsi i regjimit komunist dhe kriza e firmave piramidale në mars 1997.
Një skuadër profesionale e përbërë nga studiues të “Cooperation and Development Institute (CDI) / ShtetiWeb” e mbështetur nga zyra e Tiranës e Hanns-Seidel Foundation (HSF) ka realizuar një studim të detajuar mbi sjelljen emigratore të shqiptarëve në Gjermani në periudhën 2014-2016, si pjesë e serisë së Procesit të Berlinit, për çështjet e migracionit.
Sipas studimit, rreth 1.5-2 milionë shqiptarë gjenden si emigrantë jashtë, kryesisht në: Greqi (0.5-0.6 mln), Itali (0.5-0.6 mln) dhe SHBA (0.1 mln), etj.
Në të analizohen në mënyrë të detajuar kushtet, profilet, por edhe arsyet se përse shqiptarët rinisën emigrimin në periudhën 2014-2016, kryesisht në Gjermani. Ja, cilat janë shkaqet që renditen në këtë studim.
Në përgjithësi, të rinjtë mendonin se ishte e mundur që të mund të ndërtohej një familje e re, të jetohej me një standard jete pa pasur nevojë për shumë të ardhura.
Ata besonin se kjo nuk ishte e mundur në kushtet e Shqipërisë me atë çfarë parashikonin që të bënin. Ndaj vendosën që të ikin.
Papunësia, punësimi rastësor, të ardhurat e pakta për të paktën një prej partnerëve e detyronte një familje që të largohej.
Kushtet e jetesës, gjithashtu konsiderohen si një faktor nxitës. Një grua ankohej se familja e saj nuk jetonte në një shtëpi siç duhej, duke qenë se nuk kishin të ardhura për ta përballuar.
Performanca e ekonomisë dhe rënia e kërkesës për punë në periudhën e emigrimit në Gjermani (2014-2015) ishte një nga shkaqet kryesore të cituara edhe nga ata persona, të cilët kishin një profesion ose drejtonin një biznes.
Një grua tha: “Unë punoja si rrobaqepëse dhe kisha një dyqan të vogël, por në atë periudhë nuk kisha shumë punë, ndërsa burri kishte një piceri, por fitimet nuk na mjaftonin për të mbajtur fëmijët”. Ajo tha se bashkëshorti i saj i përkiste komunitetit rom dhe se kishin dëgjuar se ishte e lehtë që të emigroje në Gjermani dhe të përfitojë azil.
Një jetë më e mirë dhe dëshira për aventurë, gjithashtu ishin disa nga shkaqet që i bënin njerëzit të merrnin vendimin për të lënë vendin.
“Që kur isha fëmijë kisha ëndërruar që të shkoja në Gjermani dhe të punoja si mekanik makinash, duke qenë se njihet zhvillimi që ka industria e makinave. Kisha njerëz të njohur në Gjermani dhe kjo ishte një arsye më shumë për të shkuar atje”.
Siguria e jetës ishte një tjetër faktor shtytës, i vërejtur.
“…Arsyeja kryesore përse vendosa të shkoja në Gjermani ishte se ndihesha i pasigurt në vendin tim. Në vitin 2005, vëllai im u përfshi në një konflikt me disa persona, të cilët qëlluan me armë në drejtim të shtëpisë sime në mes të natës. Në atë kohë mund të ishim vrarë, por për fat plumbat nuk prekën asnjë familjar që ishte në shtëpi. Personi që na qëlloi u dënua me 10 vjet, por tani ai është jashtë. Ne ende nuk ndihemi të sigurt. Një tjetër arsye se përse u larguam nga Shqipëria ishte edhe situata ekonomike…”.
Të intervistuarit thanë se në atë kohë, mediat luajtën një rol të rëndësishëm në nxitjen e këtij fenomeni.
Një kërkim në Google mbi “kriteret për të emigruar në Gjermani” dha 587,000 rezultate duke nxjerrë në pah mbulimin e çështjes nga ana e medias.
Në të diskutohej se Gjermania ishte duke kërkuar krah pune të kualifikuar, për shkak të pakësimit të burimeve njerëzore nga lindjet e pakta. Kjo u përforcua edhe nga autoritetet gjermane, të cilat deklaruan se do t’u siguronin punësim dhe strehim. Duhet të theksohet që të gjithë ata që u larguan tentonin të punësoheshin dhe jo të jetonin përmes skemave të mbrojtjes sociale.
Në anën tjetër, studimi rendit edhe faktorët tërheqës të këtij fenomeni.
Sipas tij, më kryesorja është mjedisi social-ekonomik, zhvillimi, standardi i lartë i të jetuarit që e bëjnë Gjermaninë tërheqëse dhe të kërkuar.
“Ne të gjithë e dimë që Gjermania është një nga shtetet më të zhvilluara në Europë dhe shumë të rinj do të donin të jetonin, studionin e punonin aty, pasi në Shqipëri nuk do ta kemi një të ardhme të tillë”.
Ka shumë mundësi për t’u punësuar, ka punë më të mira, më të paguara, veçanërisht për ata që kanë një profesion, ka mundësi më të mira për t’u zhvilluar profesionalisht dhe edukim më të mirë për fëmijët. Të gjitha këto janë pjesë e faktorëve tërheqës dhe që janë listuar nga azilkërkuesit.
Gjithashtu, pagesat që ofroheshin si ndihmë nga autoritetet gjermane ishin tërheqëse: 140 euro për të rriturit dhe 40 euro për fëmijët, në muaj. Shtëpia, energjia, uji dhe shërbimet mjekësore ishin falas për të gjithë familjen.
Kjo u rendit si një ndër arsyet kryesore që nxiti emigrimin në radhët e shqiptarëve në këtë kohë. Kjo pagesë do të shërbente edhe për të larë borxhin që ata mund të kishin marrë për të paguar udhëtimin e tyre.
Në aspektin afatgjatë, pagesa që autoritetet gjermane ofronin ishte më e lartë se paga minimale e një të punësuari në Shqipëri.
Procesi i shikimit të kërkesave për azil në Gjermani ishte i gjatë dhe pavarësisht nga përgjigjja, pozitive ose negative, do t’u mundësonte shqiptarëve që të siguronin disa të ardhura dhe kushte më të mira jetese. E mbi të gjitha, kjo nuk shoqërohej me asnjë rrezik fizik.
Një tjetër faktor i rëndësishëm tërheqjeje ishte edhe roli i diasporës shqiptare në Gjermani.
Shqiptarët që jetonin dhe punonin atje kishin ndarë informacione për mënyrën sesi ata ishin integruar. Në anën tjetër mund të shërbenin si ndihmë për të gjetur strehim e punësim.
Pavarësisht faktorëve tërheqës apo shtytës, studimi nënvizon se perceptimi i përgjithshëm ishte se azilkërkuesit kishin informacione të përcipta, një rrjet të fortë ndërlidhjeje, si dhe një shpresë të madhe për një të ardhme më të mirë.