Studimi: Më shumë se gjysma e videove në TikTok për shëndetin mendor, përmbajnë dezinformata

Më shumë se 50% e videove më të ndjekura në TikTok që ofrojnë këshilla për shëndetin mendor përmbajnë dezinformata, kështu thuhet në një një hetimi të publikuar nga The Guardian, duke ngjallur shqetësime serioze mes ekspertëve të fushës dhe deputetëve britanikë.

Hetimi përfshiu analizimin e 100 videove më të njohura të postuara nën hashtagun #mentalhealthtips, të cilat u vlerësuan nga një grup psikologësh, psikiatrësh dhe akademikësh. Nga to, 52 u cilësuan si të pasakta ose të rrezikshme, për shkak të përhapjes së informacionit të gabuar rreth ankthit, depresionit, traumës dhe çrregullimeve të tjera mendore.

Ekspertët kritikuan përdorimin e termave terapeutikë jashtë kontekstit, sugjerimet e thjeshtuara për çështje komplekse dhe promovimin e trajtimeve pa bazë shkencore, si ngrënia e portokallit në dush për të ulur ankthin apo përdorimi i suplementeve të paaprovuara.

“Shumë nga këto video patologjizojnë ndjenjat normale të përditshme dhe paraqesin përjetimet si sëmundje mendore të rënda”, tha Dr. Dan Poulter, psikiatër dhe ish-ministër i shëndetësisë.

Amber Johnston, psikologe klinike, paralajmëroi se shumë video krijojnë përshtypjen e gabuar se trajtimi i traumës është i shpejtë dhe universal, ndërkohë që realiteti kërkon kujdes të personalizuar nga profesionistë të kualifikuar.

Platformat sociale nën kritikë

Deputetët britanikë reaguan ashpër ndaj zbulimeve, duke i cilësuar ato si “shqetësuese” dhe “dënuese”. Ata kërkuan nga qeveria rregullim më të fortë të përmbajtjeve digjitale, veçanërisht atyre që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor të qytetarëve, sidomos të rinjve.

“Algoritmet e TikTok-ut po amplifikojnë dezinformimin që lidhet me shëndetin mendor”, deklaroi Chi Onwurah, kryetare e Komitetit të Teknologjisë në Parlamentin britanik. Ajo shtoi se ka mangësi të dukshme në Aktin e Sigurisë Online, i cili duhet të përforcohet për të adresuar këtë problem.

TikTok mbron veten

Në përgjigje të kritikave, TikTok tha se platforma e tij është një vend i hapur për shprehjen personale dhe ndarjen e përvojave autentike, por se 98% e përmbajtjeve të dëmshme për shëndetin mendor hiqen përpara se të raportohen, sipas kompanisë.

Platforma tha gjithashtu se bashkëpunon me OBSH-në dhe NHS-në për të ofruar informacion të saktë dhe për të drejtuar përdoruesit drejt burimeve të besueshme.

Ndërkohë, ekspertët vazhdojnë të paralajmërojnë se edhe pse mediat sociale mund të ndihmojnë në ndërgjegjësim, ato nuk mund të zëvendësojnë diagnostikimin profesional dhe mbështetjen e specializuar në fushën e shëndetit mendor.

Artikulli paraprak“Njëri në mandatin e 4-ët, tjetri në disfatën e radhës”, Bamir Topi hedh dyshime për pakt të heshtur mes Ramës dhe Berishës: Pazari vazhdon, bashkuan votat në…
Artikulli tjetërSiguria ushqimore lë për të dëshiruar! Policia Bashkiake ul kontrollet në rrugët e Durrësit