Studimi: Të rinjtë amerikanë nuk pranojnë të vaksinohen

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara kanë arritur në konkluzionin se të rinjtë janë më pak të prirur të vaksinohen se sa amerikanët në moshë më të madhe.

Kjo agjenci federale nxori të hënën një raport ku thotë se 38% e të rinjve të grupmoshës 18-29 vjeç kishin bërë të paktën një dozë vaksine deri më 22 maj, krahasuar me 80% të amerikanëve mbi 65 vjeç.

Raporti po ashtu vëren se përqindja e 18-29 vjeçarëve që u vaksinuan duke filluar nga data 19 prill, kur të gjithë amerikanët në moshë të rritur kualifikoheshin për imunizim, deri më 22 maj ra nga nga 3.6% në 1.7% në javë.

Në një tjetër studim të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, afro gjysma e 2726 të anketuarve në grupmoshën 18-29 vjeç thanë se ose nuk kishin vendosur nëse do të vaksinoheshin, ose nuk kishin në plan të vaksinoheshin.

Rreth 40% e të rinjve amerikanë shprehin bindjen se grupmoshat e tjera kanë më shumë nevojë për imunizim. Ata që shpreheshin të gatshëm për vaksinim, përmendnin dëshirën për t’u rikthyer në aktivitete normale apo shqetësimin se mund të infektonin të tjerët si motivim për të bërë vaksinën.

Exit mobile version