Vaksinimi i plotë kundër Covid-19 jo vetëm që e ul rrezikun për t’u infektuar, por gjithashtu e ul rrezikun që sëmundja të zgjasë, sipas një studimi të institucionit prestigjioz britanik, King’s College London.
Hulumtimi tregoi se në pakicën e personave që preken nga Covidi edhe pas marrjes së dy dozave, gjasat për të përjetuar simptoma që zgjasin më shumë se katër javë pakësohen për 50 për qind, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Shumë njerëz të infektuar shërohen brenda katër javësh, por disa mund të kenë simptoma që vazhdojnë ose zhvillohen për javë ose muaj të tërë pas infeksionit fillestar. Ky njihet nganjëherë si Covid i gjatë dhe mund të shfaqet edhe pasi njerëzit kanë simptoma të lehta.
Reklamë
Hulumtuesit, puna e të cilëve u publikua në revistës “Lancet Infectious Diseases”, thonë se është e qartë se vaksinat po shpëtojnë jetë dhe po e parandalojnë sëmurjen serioze, por ndikimi i vaksinave kundër zhvillimit të sëmundjes së gjatë ka qenë më pak i qartë.
Ata i analizuan të dhënat nga aplikacioni britaniak, Zoe Covid Study, i cili i përcjell simptomat e vetëraportuara, vaksinimet dhe testimet.
Nga dhjetori i vitit të kaluar deri në korrik të këtij viti, aplikacioni e vëzhgoi shëndetin e mbi 1.2 milion të rriturve që morën një dozë të vaksinës dhe mbi 970 mijë të tjerëve që i morën dy doza gjatë asaj periudhe.
Vetëm 0.2 për qind e personave të vaksinuar me të dyja dozat thanë se kanë pasur Covid edhe pas vaksinimit. Udhëheqësja e studimit, Dr. Claire Steves, tha se personat më të rrezikuar nga Covidi duhet të jenë prioritet për dozën e tretë përforcuese.
Ndryshe, ministri britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, ka thënë se vaksinat ua kanë shpëtuar jetën mbi 105.000 personave dhe kanë parandaluar mbi 24 milionë infeksione vetëm në Angli.