Stuhi në gjithë vendin/ Mijëra banorë pa drita! Anulohen lundrimet Durrës-Bari! Mbyllet spitali i Pukës, uji hyn në pavijone! Dukagjini në izolim

I gjithë vendi është përfshirë ditën e sotme (22 Nëntor) nga reshje shiu dhe erë të fortë, duke krijuar kështu problematika në shumë qarqe.
Sipas parashikimit të IGJEUM, reshjet do shoqërohen me rrebeshe dhe shtrëngata dhe pritet të largohen vetëm të shtunën në mesditë (nesër, 23 Nëntor), kur pritet edhe një ulje temperaturash.
Mijëra banorë në mbarë vendin, si në Kukës, Tropojë, Lezhë, Gramsh, Librazhd, Fushë-Krujë, Krujë, Shkodër, Bulqizë dhe Pukë, raportohet se janë pa drita për shkak se stuhia ka dëmtuar shtyllat dhe telat elektrikë.

Në Shkodër është shembur edhe rruga në ndërtim e Dukagjinit. Lundrimi i trageteve të linjës Durrës-Bari është pezulluar. Spitali i Pukës pothuajse jashtë funksioni, pret vetëm urgjenca.

Kurse shirat e rrëmbyeshëm përfshinë mbrëmjen e sotme Shkodrën, Vlorën, Fierin, Lushnjën, Elbasanin, teksa uji ka shkaktuar përmbytje të shumta në rrugë dhe qarkullimi bëhet me vështirësi.

Situatë problematike pati edhe në Tiranë, me stuhi dhe shi të rrëmbyeshëm. Madje në një rast u pa një qytetare teksa nxitonte mbrëmjen e sotme të pastronte dhe lëziste kapakun e pusetës në rrugë, që të mos prekej nga përmbytjet pranë rrugës “Myslym Shyri”, pranë qendrës.

Prej dy ditësh, qyteti i Pukës ka mbetur pa spital për shkak se era ka shkatërruar çatinë. 4 pavijonet Patologjia, Pediatria, Materniteti dhe Kirurgjia janë jashtë funksionit, ndërsa uji ka depërtuar brenda në spital. Pacientët që ndodheshin në kirurgji u larguan drejt banesave, ku mësohet se do i nënshtrohen mjekimeve ambulatore. Aktualisht në spitalin e Pukës funksionon normalisht vetëm reparti i urgjencës.

Në Durrës njoftohet se për mbrëmjen e sotme është anuluar lundrimi i trageteve Durrës-Bari dhe anasjelltas. Porti i Durrësit njofton se imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve do bëhet sot deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Tragetet “AF Franchesca” dhe “Rigel VII” do të nisin lundrimin mëngjesin e ditës së nesërme, 23 nëntor.

Në Shkodër është shembur rruga në ndërtim e Dukagjinit, për pasojë dhjetëra banorë kanë mbetur të izoluar. Siç shihet në pamje është shkëputur një pjesë e shkëmbit në segmentin Prekal – Kir. Po kështu rrëshqitje gurësh ka dhe në segmentin Kir-Shosh. Rruga e Dukagjinit po ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me fond 200 milionë lekësh dhe me përmërsimin e motit pritet ndërhyrja nga firma kontratuese e punimeve.  Rruga Mes-Dukagjin është bllokuar për shkak të rrëshqitjes së gurëve. Edhe këtu po punohet për pastrimin e saj.

Disa zona në vend janë pa energji elektrike, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Berat, Vlorën, Korçën, Gjirokastrën, Kukësin, Shkodrën dhe Burrelin. Punonjësit e OSSH janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji në këto zona.

Në Lezhë era e fortë ka dëmtuar linjat dhe janë pa energji elektrike disa fshatra në zonen e Zadrimës, Ishull-Lezha dhe pjesa e Bregut të Matës. Lundrimi detar për peshkarexhat në Shëngjin vijon të jetë i pezulluar. Në aksin Skuraj-Burrel pati rënie të gurëve, por rruga është pastruar.

Në Vaun e Dejës kanë mbetur pa energji elektrike këto fshatra: Njad Hajmel, Vig Mnele, Temal dhe Shllak. Në Fushë-Arrëz raportohen shkarje gurësh dhe dherash në rruge rurale. Qarkullimi vijon pa probleme.

Lundrimi i peshkarexhave është i pezulluar edhe në Vlorë, ndërkohë si pasojë e erërave të forta ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike në zonat Orikum – Dukat – Llogara.

Mungon energjia elektrike në disa fshatra në Kukës, konkretisht në Njësitë Administrative, Shishtavec, Topojan, Zapod, Kolsh Surroj dhe Malzi. Në Bashkinë Has, pa energji janë Njësitë Administrative Golaj, Gjinaj. Në Bashkinë Tropojë, Njësitë Administrative Lekbibaj, Bujan Llugaj, Bytyç Fierzë dhe Tropojë e Vjetër.

Artikulli paraprakA po e “blejnë” të drejtën kushtetuese për votuar shqiptarët që jetojnë jashtë?
Artikulli tjetërAltin Dumani: Jam indiferent ndaj sulmeve të Berishës, SPAK s’mban grafikë ndaj kujt ushtron ndjekje penale!