Suarez: Mungesa e Messit nuk e arsyeton humbjen e Barcelonës

Sulmuesi uruguaian i Barcelonës, Luis Suarez, ka thënë se mungesa e yllit argjentinas, Lionel Messit, në ndeshjen e mbrëmshme kundër Sevillës nuk e arsyeton humbjen që e pësoi klubi katalonas.
Messi, i cili u aktivizua nga stoli në ndeshjen kundër Leganes në La Liga, u la jashtë skuadrës nga trajneri Ernesto Valverde për udhëtimin në Sevillë. Trajneri vendosi ta pushojë argjentinasin, pasi që është duke menduar qysh tani për ndeshjet e Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.
Ndeshja e parë çerekfinale të Kupës së Mbretit u zhvillua dje në stadiumin e Sevillës, Ramon Sanchez Pizjuan, dhe vendasit siguruan fitore me rezultat 2-0 përmes golave të shënuar nga Pablo Sarabias dhe Wissan Ben Yedder.
Për të tentuar ta ndryshojë rezultatin e ndeshjes, Valverde i aktivizoi nga stoli në pjesën e dytë Luis Suarezin, Philippe Coutinhon dhe Jordi Albën. Megjithatë, kjo taktikë nuk rezultoi e suksesshme dhe Barcelona do të duhet ta fitojë ndeshjen kthyese me epërsi prej tre golash ose më shumë për ta siguruar një vend në gjysmëfinale.
Barcelona i ka humbur dy nga tetë ndeshjet që i ka zhvilluar pa Messin në skuadër gjatë këtij sezoni. Ndërsa, me argjentinasin në skuadër, klubi katalonas ka dështuar në vetëm dy nga 24 ndeshjet e zhvilluara.
Mirëpo, Suarezi nuk mendon se mungesa e Messit e arsyeton disfatën e Barcelonës, pasi që kampionët në fuqi të kësaj gare kishin qenë në këtë pozitë edhe në fazën paraprake të Kupës së Mbretit, pasi që e kishin humbur ndeshjen e parë kundër Leganes me rezultat 2-1.
“Leo nuk ishte edhe në ndeshje të tjera dhe ne e morëm përgjegjësinë për ekipin dhe i fituam ato ndeshje. Sot nuk kishim arsyetim, shpresoj që Leo do të luajë në ndeshjen kthyese pasi që ai e bën diferencën”.

Artikulli paraprak“Hakmarrja është detyrim i jetës”! Si depërtoi gazetari italian në mafian shqiptare
Artikulli tjetërStudentë flasin për lëvizjen e radhës së protestës…