David Ehl
“Zhvillimet po shkojnë në drejtimin e gabuar”, shkroi kryeministri i Suedisë, Stefan Löfven të enjten në Facebook. “Më shumë infektime, më shumë raste vdekjeje. Kjo është situatë serioze.” Ky ishte postimi i parë që Löfven bëri nga vetëizolimi, pasi një person në rrethin e tij kishte pasur kontakt me të infektuar me Corona. Si e gjithë Europa edhe Suedia po përjeton këto ditë një valë të dytë të pandemisë së Coronës – aktualisht po shënohen vlerat më të larta të numrit të infektimeve të reja.
Por Suedia është një vend që deri sot nuk ka vendosur rregulla të detyrueshme për të gjithë për të luftuar virusin, por përpiqet të vendosë nën kontroll pandeminë përmes rekomandimeve për sjelljen qytetare. “Nëse ju jeni i konfirmuar si i infektuar me COVID-19, atëherë të paktën duhet të qëndroni në shtëpi, shtatë ditë pas shpërthimit të sëmundjes”, rekomandojnë autoritetet e shëndetësisë suedeze. Autoriteti i shëndetësisë nën drejtimin e epidemiologut, Anders Tegnell është shtabi qendror në luftimin e pandemisë dhe me ndikim në politikë.
Kritikë e vetmuar
Megjithatë ky vend i mbetet besnik rrugës të bërë të njohur në të gjithë botën si „rruga e veçantë e Suedisë.” Filozofia pas saj: Nëse apelohet tek arsyeja e qytetarëve, në vend që t’i detyrosh ata me kufizime, pranueshmëria është më e lartë për një kohë më të gjatë.
Screenshot Facebook Stefan Löfven (Stefan Löfven/Facebook)
Një nga kritiket e kësaj strategjie që nga fillimi është Lena Einhorn. Producentja e filmit 66 vjeçare dhe shkrimtare e virologe e mëparshme publikoi në prill me 21 vetë të tjerë një kritikë të argumentuar shkencërisht kundër menaxhimit suedez të krizës. Ajo thotë për Deutsche Wellen se Suedia, ashtu si në pranverë është më e goditur, se vende të tjera fqinje. „Dallimi është se ato kanë kufizime të tjera nga tonat.” Danimarka ka vendosur një sistem semafori me rregulla të zgjeruara të jetës publike. Norvegjia ka vendosur home-office për zonat e rrezikuara.
Suedia pa maska
Që në rrugë të bie një dallim i madh në sy, thotë Einhorn. „Nëse ecën nëpër rrugët e Stockholmit apo shkon në dyqan nuk sheh njeri që mban maskë. Në transportin urban shikon vetëm njerëz të veçuar me maskë. Vërtet është tabu të mbash maskë.”
Në fillim të pandemisë ishte e paqartë, por tani konsiderohet si e vërtetë e bazuar në studime, se maska që mbron hundën dhe gojën e ndal në një masë të madhe përhapjen e virusit Corona. Sipas Einhorn, në të gjitha vendet skandinave, veç Suedisë, maska është tani pjesë e së përditshmes.
Pesë fazat e rrugës së posaçme suedeze
Lena Einhorn nuk pret që Suedia ta ndryshojë strategjinë e saj. Pyetjet më kritike i bëjnë gazetarët e huaj në konferencat e shtypit, thotë ajo, sepse mënyra si u pa Suedia nga jashtë ka variuar këto kohë. „Në fillim ata thanë, o, ndoshta kanë të drejtë, por pastaj pati gjithnjë e më shumë të vdekur në Suedi, dhe ne u bëmë si monstra, shumë na quanin për të çmendur.” Për një kohë të caktuar, Suedia ishte vendi me numrin më të madh të viktimave në botë. Në vende të tjera të moshuarit mbroheshin në mënyrë më efektive.
Schweden 2. Corona-Welle (Amir Nabizadeh/TT News Agency/REUTERS)
Pastaj erdhi faza tjetër, thotë Lena Einhorn. „Në verë, ku kishte më pak të vdekur Suedia u bë sërish parajsa në tokë. Kur në vjeshtë në shumë vende u rritën infektimet dhe pati rezistencë kundër kufizimeve të reja, Suedia u kthye në idol të lirisë. Por nuk është më e tillë, qëkur rastet edhe këtu po rriten shumë.”
Në popullsinë suedeze ka rënë mbështetja për autoritetin e shëndetësisë dhe epidemiologun e shtetit, Tegnell. Në vendet fqinje, qeveritë herët a vonë e kanë korrigjuar kursin, dhe kanë vendosur rregulla detyruese në vend të rekomandimeve. Qeveria suedeze nuk mund ta bëjë këtë, mendon Einhorn. „Qeveria jonë ka pak mbështetje, e për sa kohë që autoriteti i shëndetësisë është i preferuar, qeveria nuk mund të dalë kundër.” E kështu në kulmin e valës së dytë të pandemisë, qeveria suedeze vazhdon të bazohet në veprimin vullnetar të qytetarëve. Të premten kryeministri suedez shkroi nga karantina. „Informohuni dhe ndiqni këshillat.”