Sulltanat mesjetar apo EuroAtlantizëm?!

Nga Azgan Haklaj

Pas konfirmimit zyrtar me votimet uniformë në parlament të ujdisë politike( natyrisht si gjithmonë dhe me kompromise ekonomike) Rama – Berisha një tis i trashë pesimizmi ndjehet gjerësisht në opinion.
Kjo për faktin se jo vetëm po gërryhen themelet e pluralizmit por po i mbyllet dera rotacionit politik, ripërtëritjes e ndërrimit të elitave.
Kjo është tabloja sipërfaqësore e situatës që mbjell pesimizmin e depresionin nacional.
Por besomëni se në fakt ky është fundi i tyre i turpshëm politik, i pasuar dhe me një ndëshkim shembullor juridik.
Shqipëria nuk është më si pas Luftës së ll-Botërore pjesë e hegjemonisë lindore sllavo-ortodokso-ruse.
Ajo është pjesë integrale e NATO-s, aleancës më të fuqishme ushtarake e poltike perëndimore.
Në Kosovë gjendet baza më e madhe amerikane jashtë territorit të saj.
Në Kuçovë funksionon një bazë e rëndësishme e Aleancës Euroatlantike, e disa të tilla presin të ndërtohen me shpejtësi shoqëruar me rrjetin infrastrukturor.
Me pak fjalë jemi nyja nevralgjike në kontinent.
Kjo e shumë të pathëna nuk mund të pranojnë që ky vend euroatlantik e gjeostrategjik të shndërrohet në një
sulltanat mesjetar duke gërryer përditë besimin e pritshmërinë e kombit tonë tek aleatët.
Ndaj ky pazar politiko-oligarkik do të jetë stacioni i fundit i establishmentit pengues prej tre dekadash i integrimit dhe progresit tonë kombëtar.
As kullat shumëkatëshe e bisneset e kamufluara, as kontot bankare miliardashe dhe lidhjet e tyre me botën e errët të krimit dijeni se nuk do mbesin pa u identifikuar dhe ndëshkuar.
Eshtë ky ndëshkim që risjell besimin, ndalon ikjen e depopullimin, rrit mirëqenien dhe largon stresin depresiv që ky klan i rrezikshëm ka mbjellur kudo.
A do të ketë zgjedhje me “rregullat” e ujdisë përverse Rama-Berisha?
Ju siguroj se kurrë!!
A do të ketë turrje të përbashkët me ujdi parlamentare kundër prokurorisë dhe gjykatave të posaçme me flamurtar pionierin konsomolas të Enverit Fatmir Xhafa?
Besomëni që nuk ka shans.
E jo vetëm kaq por trimërisë e agresivitetit që domonon këtë kastë të kujton bagëtinë që pikërisht kur konsumojnë ushqim të tepruar për tu majmëruar i pret kasapi me hanxhar në dorë…!
Jo aq për otimizëm sesa për realizëm po i mbyll këta rreshta refleksioni me sentencën e mençur të filozofit të lashtësisë Seneka:
“Frika jonë është më e madhe sesa rreziku që na kanoset”:
Ne vuajmë më shumë nga imagjinata sesa nga realiteti”.
EuroAtlantizmi do të ngadhnjejë mbi sulltanatin mesjetar që po përpiqen të instalojnë binomi Rama-Berisha!

Exit mobile version