Sulltani dhe Imami

Rivalitet, tradhëti dhe hakmarrje janë elementët në themelin e luftës vëllavrasëse që vë përballë njëri-tjetrit Rexhep Taip Erdoganin me predikuesin Fethullah Gulen, ish-aleat dhe sot armik i betuar i Presidentit turk. Lufta e pamëshirshme midis këtyre dy nacionalistëve të zjarrtë dhe myslimanëve të devotshëm ka tronditur Turqinë, siç e dëshmon edhe tentativa e grushtit të shtetit të 15 korrikut, atësia e të cilit i është atribuar ish-imamit nga Erdogani. Të dy konservatorë dhe shumë fetarë, Guleni dhe Erdogani ndajnë prej kohësh të njëjtin projekt: një riislamizim të thellë të Turqisë, që pas dekadash laiciteti republikan relativ duhet të kthehet në rolin e saj të drejtuesit të botës sunite, si në kohën e Perandorisë Otomane. I quajtur nga ndjekësit e tij hoxhë effendi, Guleni këmbëngul më shumë në dialogun ndërfetar dhe në hapjen ndaj perëndimit. Ky ish-imam 75-vjeçar shëndetlig dhe me predikime paternalistike, që në 1999 është strehuar në Pennsylvania të Shteteve të Bashkuara, drejton një vëllazëri fillimisht të frymëzuar nga sufizmi, e bërë vitet e fundit shumë influente, një pushtet okult i gjerë. Në të kundërt Erdogani, tribun me cifla populiste, President dhe kreu karizmatik i AKP-së (Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, formacion islamisto – konservator në pushtet në Turqi prej 14 vjetësh) përqendrohet sidomos mbi aksionin politik.
Për një kohë të gjatë të dy kanë qenë rivalë, më pas aleatë dhe së fundi armiq të përbetuar. “Pas rënies së republikës laike, po asistojmë në betejën e parë të republikës fetare”, ka vërejtur Soli Özel, politolog dhe profesor universitar, në fillim të përplasjes midis të dyve, në kapërcyellin midis 2012 dhe 2013. Grushti i shtetit ka qenë akti i fundit i këtij konflikti. Ndoshta edhe ai vendimtar, pasi Erdogani, i forcuar nga dështimi i puçistëve, është më shumë se kurrë i vendosur që ta çrrënjosë këtë grup që prej tri vjetësh e përkufizon si një “shtet paralel”, “bandë kriminale”, “qelizë kanceroze” në shoqërinë turke. “Siç ka ndodhur me organizatat e tjera, kam ndihmuar edhe këtë strukturë, duke menduar se do të mund të arrinim në një platformë të përbashkët, edhe pse shumë prej aspekteve të grupit nuk më pëlqenin”, ka deklaruar përpara dinjitarëve kryesorë fetarë të vendit më 3 gusht, duke ju referuar ndjekësve të Gulenit. Në një akt të rrallë sinqeriteti, Presidenti është shprehur “i keqardhur që pse nuk e kam zbuluar më parë fytyrën e vërtetë të kësaj organizate tradhëtarësh”.

Komunitet dhe prozelitizëm

Një pedagog universitar në Stamboll, që në klimën aktuale e gjuetisë së shtrigave preferon të ruajë anonimatin, shpjegon se kësaj radhe “Erdogani është më i vendosur se kurrë të shkojë deri në fund. Shtyhet nga një shpirt hakmarrjeje: ndjehet personalisht i tradhëtuar nga Guleni, të cilit gjithmonë nuk i ka besuar, por me të cilin ishte aleat sapo ka hipur në pushtet”. Profesori nënvizon se lideri i AKP-së “e di shumë mirë sesa pushtet kanë gulenistët në shoqëri, pasi ka qenë vetë ai që e ka mundësuar një gjë të tillë”. Kjo shpjegon edhe shtrirjen e spastrimeve të fundit: më shumë se 17000 të ndaluar, prej të cilëve gjysma e transformuar në arrestime; më shumë se 60000 funksionarë shtetërorë të shkarkuar; dhjetëra midis gazetave, televizioneve dhe radiove të mbyllura. Janë vënë në shënjestër edhe qindra shkolla private, gjimnaze dhe universitete, midis të cilëve i famshmi Universiteti Fatih në Stamboll. Për t’u konsideruar i dyshuar, mjafton që të kesh marrë një të drejtë studimi nga organizata e Gulenit ose të disponosh një llogari në bankën Asya, zemra financiare e galaktikës së fetullahçinjve, ndjekësve të ish-imamit. Aderimi në Tuskon, konfederatën që përfshin biznesmenët afër me Gulenin, konsiderohet si një formë besnikërie ndaj lëvizjes. “Janë tashmë 40 vjet që organizata i shtrin tentakulat e saj në të gjithë Turqinë. Në rrethana të zakonshme, do të duheshin 20 vjet për t’i shkulur”, ka deklaruar Zëvendëskryeministri Nurettin Canikli. Por sa janë vërtet ndjekësit e Gulenit?
Në momentin e ekspansionit maksimal vlerësohej se qenë 1 milion, ndoshta deri dyfishi. “Në vitet Nëntëdhjetë nuk ishte vetëm organizata fetare kryesore e vendit, por edhe lëvizja civile më e rëndësishme”, shpjegon sociologia Elise Massicard. Opaciteti dhe shtrirja e rrjeteve të influencës së fetullahçinjve kanë ushqyer çdo lloj dyshimesh. Me prozelitizmin misionar të tij, cemaat-i (komuniteti) i Gulenit të kujton në një farë mënyre lëvizjet evangjeliste amerikane, por ka edhe shumë tipare të përbashkëta me Opus Dei, sidomos me aftësinë sistematike të tij për të infiltruar në ingranazhet e administratës publike dhe në strukturat shtetërore. Një fenomen i denoncuar prej kohës nga opozita laike, që ka qenë viktima e parë e fetullahçinjve, kur AKP-ja dhe Guleni qenë aleatë, midis 2002 dhe 2012. Lëvizje e frikshme, sa jotipike, vëllazëria funksionon si një nebulozë shoqatash të çdo lloji, aktive veçanërisht në sektorët e arsimit, të biznesit dhe të informacionit. Është edhe shumë e bashkuar. “Bëhet fjalë për një strukturë të centralizuar dhe piramidale. Guleni është një maniak i kontrollit”, vëren Ruşen Çakır, specialist i islamit politik turk dhe autor i një libri mbi gulenistët, “Vargu dhe sllogani”, i botuar në 2005.
Por a është vërtet sekt vëllazëria e gulenistëve? Jo tamam. Mund të hyhet e të dilet nga grupi pa problem. “Nuk ka teserë anëtarësie, sa më shumë të jesh aktiv, aq më shumë përkatësia ndaj komunitetit forcohet. Bëhet fjalë për një impenjim personal intensiteti i të cilit mund të ndryshojë gjatë jetës”, shpjegon një biznesmen i vogël që për një përiudhë të caktuar ka qenë pjesë e hizmet-it (shërbimit), siç e quajnë ndjekësit lëvizjen midis tyre. “T’u shërbesh njerëzve nënkupton t’i shërbesh Zotit”, parapëlqen të kujtojë Guleni. Dhe ky impenjim konkretizohet në sohbet-e, struktura të vogla informale, ku mblidhen persona të të njëjtit sektor. Këtu shkëmbehen ide dhe bëhen projekte: për shembull, një qendër për studentë në periferi apo një gjimnaz i subvencionuar me donacione private në një vend afrikan. Guleni, që si imam përpara se të bëhej i tillë ishte funksionar publik, deklaron hapur se frymëzohet nga Said Nursi (1877 – 1960), një teolog sufi me origjinë kurde, sipas të cilit 3 armiqtë kryesore të njerëzimit ishin “Zotëri Injoranca, Zonjë Varfëria dhe Mjeshtër Përçarja”. Hoxhë efendiu e riinterpreton mësimin e tij në kuptimin modernist, është i bindur se urdhërimet e ligjit islamik duhet të kenë të bëjnë parasëgjithash me jetën private edhe është në favor të demokracisë e të liberizmit ekonomik. Objektivi i tij është një “islam edukativ”, edhe pse shumë konservator. Veç kësaj, dega e sufizmit të cilit Guleni pohon se i përket ka veçantinë se njeh vlerën e shkencës, në kundërshtim nga korrentet e tjera të islamit. Në këtë mënyrë, projekti i Gulenit kundërvihet me atë të Millî Görüş (rrugës kombëtare), lëvizjen e ish-Kryeministrit Necmettin Erbakan. Kryeministër i një qeverie islamiste midis 1996 e 1997, Erbakani qe edhe mentori politik i Erdoganit, lëvizja e tij konsiderohej e afërt me Vëllazërinë Myslimane.

Në zemër të shtetit

Guleni paraqitet gjithmonë si “islamist i mirë”. Si patriot i zjarrtë mbështeti grushtet e shtetit ushtarake të 1980 e të 1997, kur ushtria detyroi Erbakanin të largohej pa përdorur dhunë. Dështimi i Erbakanit bindi Erdoganin të ndryshojë strategji dhe t’i japë jetë AKP-së, një parti islamike moderne, që proklamohej e hapur ndaj demokracisë, Europës dhe ekonomisë së tregut: të gjitha tema të dashura për gulenistët. Pas fitores në zgjedhjet e 2002, AKP-ja kishte nevojë të madhe për kuadro islamistë të përgatitur mirë që të merrnin në dorë levat e shtetit dhe për të larguar drejtuesit kemalistë dhe ushtarakët. Vetëm cemaat-i mund ta ndihmonte. Në pranverën e 2013, me rastin e një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara, Erdogani theksonte akoma se takimi me Gulenin ishte nderi më i madh që njeriu mund të kishte. Infiltrimi i gulenistëve kishte nisur vite më parë dhe kishte qenë i ngadaltë, i aftë, diskret, por i pandalshëm. “Njerëzit pushuan së pasuri frikë nga shteti kur një numër i mjaftueshëm i tyre mund ta gjente vendin e tij dhe të thoshte: ky është shteti im”, shkruante Mustafa Yeşil, President i Fondacionit për Shkrimtarët dhe Gazetarët. Qëllimi gulenist ishte ta transformonte republikën kemaliste nga brenda, nëpërmjet një infiltrimi sistematik. Lëvizja u jepte të drejta studimi të rinjve më premtues që të studionin jurisprudencë, në mënyrë që të provonin më pas të futeshin në polici, prokurori apo në akademitë ushtarake. Pas tentativës së grushtit të shtetit të 15 korrikut, autoritetet turke janë impenjuar për të zbuluar në detaje sesi gulenistët kishin ngritur në këmbë një sistem që u jepte paraprakisht të mbrojturve të tyre përgjigjet e konkurseve për të hyrë në akademitë ushtarake. “Një investigim ka demonstruar se përgjigjet e provimeve vidheshin sistematikisht dhe se rreth 70 – 80 për qind e studentëve i kalonte provimet falë këtyre dallavereve”, ka deklaruar Ahmet Zeki Üçok, një ish-prokuror ushtarak, në një intervistë të 2 tetorit 2015 për agjencinë  Bloomberg. Infiltrimi klandestin është në themel të të gjithë lëvizjes. Në një vide të 1999, imam Guleni i ftonte dishepujt e tij që të “penetronin në arteriet e sistemit pa rënë në sy për kapjen e qendrave të pushtetit” dhe të “prisnin deri në momentin e marrjes së pushtetit”. Po atë vit, pushteti kemalist hapte një hetim gjyqësor kundër tij, Guleni u largua drejt Shteteve të Bashkuara. Nga këto akuza, predikuesi u lirua më 2006, kur tashmë ndjekësit e tij kontrollonin një pjesë të mirë të prokurorisë me miratimin e AKP-së. Gjithsesi, për maturi, Guleni ka preferuar të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara.
Atëhere infiltrimi i gulenistëve synonte parasëgjithash forcat e policisë. Në 2007, ndjekësit e imamit nisën të vënë në shënjestër kemalistët e pranishëm në ushtri. Qindra oficerë u procesuan për komplot të supozuar kundër AKP-së në kuadër të dy proceseve të mëdha publike (Ergenekon dhe Balyoz) të ndjekur me vëmendje të madhe nga mjetet e informimit. Ushtarakë, gazetarë dhe avokatë pësuan dënime shumë të rënda mbi bazë provash false. Këto vendime më pas u anuluan midis 2014 dhe 2015, pas prishjes së Erdoganit me Gulenin. “Me të gjitha këto operacione kundër ushtarakëve, fetullahçinjtë na kanë gënjyer”, ka pohuar Erdogani më 19 mars 2015, me rastin e dhënies së diplomave në Akademinë Ushtarake të Stambollit, që mezi priste ta harronte mbështetjen e tij të dikurshme ndaj proceseve të nisura nga gulenistët. Gjatë viteve të mëparshme gulenistët gjithsesi kishin arritur t’i vendosnin njerëzit e tyre deri në majat e larta e hierarkisë shtetërore. Pushteti i tyre ishte rritur ndjeshëm. “Kush prek cemaat-in, digjet” vërente në 2011 gazetari investigative Nedim Şener, që ashtu si kolegu Ahmet Şık ka kaluar një vit në burg pse ka kërkuar të denoncojë pushtetin e fetullahçinjve. “Si shumë kolegë të tjerë, jam arrestuar në mëngjes nga policë gulenistë. Pastaj kam dalë përpara një prokurori gulenist që më ka çuar tek një gjykatës gulenist. Gjithçka është treguar nga gazeta dhe televizione guleniste”, rrëfen Şık.

Komplote dhe skandale

Fërkimet e para midis predikuesit dhe Erdoganit kanë nisur me 7 shkurt të 2012, kur një prokuror në Stamboll i afërt me cemaat-in ka thirrur Hakan Fidan, shefin e shërbimeve sekrete turke (MIT). Marrja në pyetje kishte të bënte me negociatat sekrete të drejtuara nga Fidan me separatistët kurdë të PKK-së (Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, lashtë ligjit në Turqi) me kërkesën e Erdoganit. Kryeministri i atëhershëm e ka parë iniciativën si një sulm personal dhe, për hakmarrje, ka urdhëruar mbylljen e shkollave përgatitore (dershane) të vëllazërisë, fidanishte në kuptimin e vërtetë të fjalës e kuadrove të lëvizjes. Rreshtimi gulenist ka kaluar në kundërsulm me 17 dhjetor 2013, kur disa prokurorë të Prokurorisë së Stambollit të lidhur me vëllazërinë kanë urdhëruar arrestimin e 50 personave të afërt me elitën në pushtet të dyshuar për mashtrim dhe qëllime përfitimi. Në burg kanë përfunduar edhe djemtë e tri ministrave dhe Süleyman Arslan, Administrator i Deleguar i bankës publike më të madhe turke, Halkbank: në shtëpinë e tij policët kanë gjetur 4.5 milionë dollarë në kesh të fshehura nëpër kuti këpucësh. Më pas, shtypi ka botuar përgjimet e bisedave private të drejtuesve të ndryshëm politikë, midis të cilëve vetë Erdoganit. Tanxhente, dhurata të kushtueshme për ministra dhe bankierë, trafik floriri me Iranin: zbulimet e mjeteve të informimit dukesh të pafundme. Skandali ka goditur edhe Kryeministrin, i detyruar që të kryejë një riorganizim qeverie. Duke folur për komplot, Erdogani ka akuzuar ish-aleatin e tij se ka kërkuar që ta detyrojë të dorëhiqet.
Por ky skandal është sfumuar shumë shpejt. Mq 25 dhjetor 2013 ministrat e akuzuar për korrupsion – Erdoğan Bayraktar (Mjedis dhe Urbanistikë), Zafer Çağlayan (Ekonomi), Muammer Güler (i Brendshëm) dhe Egemen Bağış (Çështje Europiane) – janë shkarkuar nga postet e tyre. Të hetuarit e tjerë janë lëshuar në tetor të 2014, ndërsa prokurorët që drejtonin hetimet (Zekeriya Öz, Celal Kara dhe Mehmet Yüzgeç), të goditur nga ana e tyre prej një urdhër arresti, janë arratisur jashtë vendit. Prishja me gulenistët është përjetuar nga Erdogani si një tradhëti – “na kanë ngulur thikën pas krahëve” – dhe ka shkaktuar një seri spastrimesh në polici, në prokurori, në botën e financës dhe të shtypit. Më 9 shkurt të 2015 Banka “Asya” është vënë në mbikëqyrje. Enti rregullator (BDDK) ka marrë kontrollin e këshillit administrues dhe të 63 për qind të kapitalit. Zyrtarisht banka është akuzuar për një “mungesë transparence”. Dueli midis dy ish-aleatëve është ashpërsuar tmerrësisht. “Turqia ka arritur një pikë në të cilën demokracia dhe të drejtat e njeriut praktikisht janë zhdukur”, ka shkruar ish-imami në një notë drejtuar votuesve turq në fillim të shkurtit 2015, duke ju kërkuar që të mos votonin për AKP-në në zgjedhjet politike që do të mbaheshin pak muaj më vonë, më 7 qershor. “Po je imam apo pronar banke?”, i ka reaguar Erdogani ish-aleatit të tij. Disa muaj më vonë, lufta ndaj vëllazërisë guleniste është bërë një prej prioriteteve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Miti i armikut të brendshëm

Nga tentativë e grushtit të shtetit të 15 korrikut vëllazëria dhe anëtarët e saj janë pasqyruar si përgjegjësit e të gjitha të këqijave që kanë rënë mbi vendin nga vitet Nëntëdhjetë e këtej. Janë kokat e turkut e përsosura. Djegia e 1993 në Hotelin “Madimak” në Sivas, ku vdiqën 37 intelektualë të majtë dhe anëtarë të pakicës alevite? Kanë qenë gulenistët. Vrasja e gazetarit armen Hrant Dink më 9 janar 2007? Gjithmonë ata. Rrëzimi i një avioni  ushtarak rus më 24 nëntor 2015? Sërish ata (pas 15 korrikut pilotët turq përgjegjës për incidentin kanë rrëfyer se janë ndjekës të Gulenit).
E krahasuar me sektin e hashishinëve nga Presidenti Erdogan në diskutimin e tij për autoritetet fetare të 3 gushtit, vëllazëria është akuzuar se “u ka vjedhur të kaluarën dhe të tashmen mijëra njerëzve”. Ndërkohë spastrimet vazhdojnë, me konsensusin e pjesës më të madhe të opinionit publik, sepse miti i armikut të brendshëm mbetet instrumenti më i mirë që liderët populistë kanë për të nxehur turmat. “Sikur organizata të kishte arritur ta përfundonte me sukses grushtin e shtetit, Guleni do të ishte pritur si triumfator. Të gjithë e dinë se prapa cemaat-it qëndrojnë Shtetet e Bashkuara, NATO, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Vatikani, Izraeli, Bashkimi Europian dhe lozhat masonike. Po përgatisnin proceset për të dërguar Presidentin Erdogan në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës. Sikur të kishin fituar, dhjetëra mijëra njerëz do të pushkatoheshin”, ka shkruar më 3 gusht Abdurrahman Dilipak, editorialist i së përditshmes qeveritare “Yeni Akit”, e konsideruar zëdhënëse e pushtetit. Një pushtet që përdor teoritë e komplotit për të mobilizuar popullatën kundër “tradhëtarëve” dhe “agjentëve të huaj”.
(Marie Jégo dhe Marc Semo për “Le Monde”)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version