Dy vëllezër u sulmuan me armë zjarri, ndërsa ishin duke punuar në punishten e tyre në lagjen “Shënkoll” të Elbasanit. Për pasojë u plagosën G.Beqiri, 60 vjeç dhe A.Beqiri, 49 vjeç, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin Kirurgjik Elbasan dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga shërbimet e policisë rezultoi se, persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të dy vëllezërve me qëllim për t’i vrarë. Ata u dëmtuan jo nga plumbat, por gjatë tentativës për t’i shpëtuar të shtënave me armë zjarri, duke u përplasur me sendet që ndodheshin brenda punishtes.
Dy shënjestrat e këtij sulmi me armë janë vëllezerit e Gentjan e Saimir Beqiraj të dy të vrarë. Gentjani u ekzekutua në banesë, ndërsa ishte në arrest shtëpie. Në atë ngjarje, humbi jetën dhe babai i tij, i cili pësoi arrest kardiak. Kurse vëllai tjetër, Saimir Beqiraj, u gjet i vrarë në oborrin e një lokali në periferi të Elbasanit.
Ndërkohë, një 50-vjeçar është plagosur me armë zjarri në një lokal në fshatin Ngjeqar, në Roskovec. Ramiz Gega mbeti i plagosur në këmbë, ndërsa është shpallur në kërkim autori i dyshuar i kësaj ngjarje, shtetasi U.S. 50-vjeçari Gega, banues në lagjen “8 Shkurti” në Fier, mendohet se është plagosur për motive të dobëta nga shtetasi U.S., që dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur. Ramiz Gega ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve.
të martën një i ri u vra në Vlorë. Fajton Sinani, 40 vjeç është vrarë në derën e banesës së tij, në lagjen “Partizani” ose siç njihet në qytet te “rruga e Spitalit”, në qytetin e Vlorës. Sipas burimeve, Sinani është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar në hyrje të pallatit ku banonte. Ende nuk dihen rrethanat dhe motivet e këtij krimi. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka sekuestruar armën e krimit.