Sulm për Sanchez

Manchester City nuk di të ndalet. Klubi i sheikëve përgatitet për t’i ofruar Alexis Sanchez një shumë që i afrohet 400 mijë paundëve që kërkon sulmuesi. Saga e futbollistit që dëshiron largimin nga Arsenali mori një rrjedhë intriguese me Sanchez që postoi në Instagram një foto ku shfaqet i sëmurë, ndërkohë që te Arsenali e presin të rikthehet për të nisur përgatitjet parasezonale. Klubi i Wenger konfirmoi se e pret Sanchez këtë të dielë që të bashkohet me skuadrën dhe nëse diçka e tillë nuk ndodh kjo mund të nënkuptohet si një sinjal i transferimit të mundshëm te rivalët e Manchester City.
Citizens duan ta bëjnë Sanchez lojtarin më të paguar të skuadrës me një marrëveshje që i jep atij rreth 320 mijë paund në javë, por kjo shumë do të jetë shumë më e lartë në sajë të bonuseve të lidhura me performancën e lojtarit dhe përqindjen që Sanchez do të fitojë nga të drejtat e imazhit. Ndërkohë Monaco ka refuzuar ofertën e Arsenalit prej 50 milionë paund për Thomas Lemar. Futbollistët e Manchester City-t deklaruan se e mirëpresin krahëhapur Sanchez, të cilit mund t’i duhet të presë edhe një vit për t’u bashkuar me ta nëse nuk arrin të marrë miratimin për t’u larguar nga Arsenali. Në të vërtetë Arsene Wenger ka bërë të ditur se është i gatshëm që më mirë ta humbasë sulmuesin me parametra zero vitin e ardhshëm, se sa të pranojë shitjen e tij tani. Arsenali është duke u përpjekur që ta bindë futbollistin për të nënshkruan rinovimin e kontratës me klubin, por mediat angleze bëjnë të ditur se shpresat që diçka e tillë të ndodhë janë gjithnjë e më të vakëta.
Alexis Sanchez do t’i bashkohet Arsenalit në stërvitje të dielën, por ende nuk e ka qartësuar të ardhmen. Kurse Manchester City po i bën përpjekjet e fundit për ta transferuar Alexis Sanchezin, i cili ka kontratë me Arsenalin vetëm edhe një vit. Sipas tabloidit britanik “Daily Mail”, ekipi i Pep Guardioas i ka ofruar një pagë të majme kilianit.
Thuhet se Manchester City i ka ofruar ish-anëtarit të Barcelonës një pagë prej 320 mijë funte në javë (357 mijë euro) ose mbi 17 milionë euro në sezon. Arsenali është i vendosur që Sanchezin mos t’ia shesë Manchester City-t. Por, deri më 1 shtator mund të ndodhë gjithçka.
Pep Guardiola nuk ndalet në merkato. Trajneri i Man.City ka bërë me dije se dëshiron të blejë një tjetër qendërmbrojtës pavarësisht se ka shpenzuar jo pak për këtë repart. Sipas mediave angleze, Pep dëshiron të afrojë te blutë nga Manchesteri, Inigo Martinez të Real Sociedadit ose gjermanin Holger Badstuber. I vetmi problem i tij është që ka tejkaluar shpenzimet e klubit sa i përket repartit të mbrojtjes dhe ndoshta klubi mund të vendosë kufizime për blerjen e një tjetër futbollisti në prapavijë.

Exit mobile version