Sulmet ajrore në Alepo godasin spitalin

Sulmet ajrore goditën një spital në zonën e kontrolluar nga rebelët në Alepo të Sirisë, duke vrarë të paktën 27 persona përfshi tre fëmijë dhe disa mjekë, tha organizata Vëzhguesit Sirianë për të Drejtat e Njeriut. Ndërkohë, i dërguari i OKB-së për Sirinë tha se, ka në plan të mbajë një raund tjetër bisedimesh për paqen muajin e ardhshëm, por bëri thirrje për rigjallërimin e armëpushimit.
Spitali al-Quds mbështetej nga organizata ndërkombëtare e bamirësisë “Mjekët pa Kufij” që thotë se çdo gjë në spital është shkatërruar, pasi ndërtesa u godit nga një sulm ajror i drejtpërdrejtë që vrau të paktën tre mjekë dhe 14 pacientë.
Kreu i operacioneve të shpëtimit tha se, numri i viktimave mund të jetë 50, duke shtuar se shumica e tyre ishin në një ndërtesë ngjitur me spitalin.
Videot e publikuara në median sociale tregojnë pasojat e sulmeve ajrore dhe zyrtarët e shpëtimit që nxjerrin trupat nga rrënojat.
Ndërkohë, i dërguari i OKB-së për Sirinë tha se, ka në plan të mbajë një raund tjetër bisedimesh për paqen muajin e ardhshëm, por bëri thirrje për rigjallërimin e armëpushimit para caktimit të një date.
“Luftimet duhet të ndërpriten që të rigjallërohet armëpushimi. Unë po bëj thirrje në emër të OKB-së dhe kjo është plotësisht e mundur. E di se, Rusia edhe Shtetet e Bashkuara po bisedojnë për të shpëtuar armëpushimin, që ka qenë në fakt një sukses, por ai duhet ruajtur. Pa armëpushim është vështirë që zhvillosh bisedime”.
Staffan de Mistura i bëri komentet sot, pasi informoi Këshillin e Sigurimit mbi bisedimet. Ai tha se, diskutimet kishin përparuar disi megjithë shkallëzimin e dhunës në Siri.
Organizata Vëzhguesit për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër tha se 91 civilë janë vrarë në sulmet ajrore gjatë gjashtë ditëve të fundit në Aleppo dhe 49 civilë u vranë në një bombardim të rebelëve në zonat e kontrolluara nga qeveria.

Exit mobile version