Sulmet ndaj SPAK, tregojnë dorëzimin politik përballë qeverisë dhe atë moral ndaj qytetarëve!

Nga Ersid Karaj

Janë vërtet për t’u habitur qëndrimet e një opozite që ka 11 vite e cila ndëshkohet në çdo palë zgjedhje nga qeveria në pushtet.

Në një vend normal demokratik, opozita dhe drejtësia janë aleatët kryesor për rrëzimin e një qeverie apo (regjimi), siç konstatohet çdo ditë nëpër foltoret e zyrtarëve opozitar.

8 vite më parë, përpara se Shtete e Bashkuara të Amerikës të vendosnin SPAK, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, në Shqipëri cila qeveri merrte timonin drejtues, e kishte shumë të lehtë të blinte sistemin e drejtësisë, sepse e kishte aleatin kryesor për të manifestuar grabitjet e pronave apo tenderimet e shtetit shqiptar.

Të gjithë hapëm sytë dhe pritëm se cili zyrtar i lartë do thirrej për të dhënë llogaritë e veta në drejtësinë e re amerikane, (SPAK).

Por ç’ndodhi këto 8 vite e këndej në SPAK, lind pyetja?!

Jo vetëm u goditën bandat kryesore të krimit, dhe u arrestuan mjaft persona të njohur organizativ, por u goditën nga ministrat, deputetë, e gjer tek kryetarët e bashkive, të cilët i kemi parë me listë sa i gjatë është numri i tyre.

Duke parë nga ky kënd, çdo opozitar gëzohej dhe tallej me të drejtë me qeverinë Rama, por harruan që SPAK nuk u zhvendos vetëm për t’i bërë “qejfin” njërës palë, por i paanshëm, për çdo zyrtarë publik që bën korrupsion.

SPAK, goditi gjithashtu liderin kryesor të opozitës shqiptare, Sali Berisha, i cili ende vazhdon të përballet para drejtësisë. E lideri në fjalë, jo vetëm që përçau Partinë Demokratike, duke e tërhequr zvarrë pas litarit në fyt, por edhe po e përdor si “luftë” politike këtë çështje, duke mbledhur njerëzit në dritaren e apartamentit të shtëpisë për fjalime, por edhe sa herë shkon në SPAK.

Këtu rreth këtij problemi sillen rrotull edhe pjesëtarët e tjerë të PD-së, duke u ndjerë në vetvete edhe pak të turpëruar, se nuk po mbajnë mend as qëndrimet politike sa herë hapin gojën, dhe në këtë rast sulmojnë drejtësinë amerikane se po bashkëpunon me Ramën. A thua se Amerikës u intereson kaq shumë një kryeministër si Edi Rama…

Pyetja që ngrihet: Kur opozitës i është mbushur mendja “top” që kjo drejtësi është aleat i Ramës, duke shpallur non-grata, Sali Berishën dhe gjithashtu edhe SPAK e cila e ka vënë me “shpatulla pas murit padrejtësisht” atë, përse mbajnë peng votën e shqiptarëve opzitarë?

A është përgjegjësi personale kushdo që zhytet në pellgun e korrupsionit?

Si për Berishën sot, apo dhe për Ramën nesër, hakun e tyre le ta mbajnë për vete.

Njerëzit kërkojnë perspektivë për zhvillimin e vendit, jo të vajtojnë me shami të zezë “liderët” kur zhyten bashkë me korrupsionin. (Jeta vazhdon edhe pa Ramën e Berishën).

Por çfarë ndodh tek ne: opozitë që ngrihet në protestë ndaj drejtorëve të Erion Veliajt që u zbuluan në “dosjen 5D” nga SPAK, (që në këtë rast SPAK-un e përgëzojnë me qejf), dhe opozitë që konsideron organizatë kriminale po këtë drejtësi për rastin “Berisha”. Opozitë që me rastin “McGonigal” bënë bujën e madhe nëpër studio televizive me dosje nëpër duar se çfarë skandali të madh paska zbuluar Amerika dhe mediat amerikane për Ramën! Nga ana tjetër nuk mbështesin qëndrimet e Amerikës për non-gratën e Berishës, të Britanisë jo e jo!

Edhe Ramës do t’i vijë radha, por sot është kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s, dhe kjo i jep avantazh kryesor, por shpresojmë që këto abuzime, (të cilat do t’i zbulohen nesër), të mos e ketë ndarë me ju sot!

Mbani mend diçka vath në vesh: Populli shqiptar nuk u ka asnjë borxh për t’ju mbajtur me kostum e kollare në parlament, dhe të mbroni njëri-tjetrin sa herë keni nevojë në ato marrëveshjet e fshehta, që mendoni sikur nuk kuptohen nga askush; sepse politika nuk është post i cili mbahet për një vend pune, por për ide dhe reforma inovative për t’u bërë krenar një ditë që kjo tokë u rriti dhe ju dha mundësinë të vini një gurë në themelin e saj.

“Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij”, – ka thënë Sami Frashëri.

Veprat ua shohim, por të paktën mos u bëni fytyra të përhershme në ekrane dhe foltore, se do fshiheni me dinjitetin më të poshtëruar nga kujtesa shqiptare.

Artikulli paraprakBasha flet për BBC-në, Berisha për hallet e tij me drejtësinë
Artikulli tjetërAromë “tradhtie”/ A po përgatitet Xi-Jinping t’i ngul një “thikë” pas shpine Putinit?!