Sulmi i Ramës ndaj kryetarit të Bashkisë së Përmetit, reagon kryebashkiaku

Kreu i Bashkisë së Përmetit, Niko Shupuli ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama të bëra gjatë një takimi me qytetarët në këtë qytet ku tha se, “kryebashkiaku ka punësuar në këtë bashki persona mbi numrin e lejuar dhe për këtë arsye duhet të largohet”.
Në një deklaratë publike, Shupuli thotë se, akuzat e Ramës nuk qëndrojnë duke thënë se, “ndonëse slogani i takimit ishte “Bashkia që duam“, në fakt deklarimet e Kryeministrit ishin për “Kryetarin që nuk duam“, shprehet ai.
“Numri aktual i punonjësve nuk është mbi numrin e përcaktuar nga ligji sepse nuk ka asnjë ligj apo qoftë edhe akt nënligjor si VKM apo Udhëzim që përcakton numrin maksimal që lejohen të punësohen në bashki”, deklaron Shupuli.
Ai deklaroi po ashtu se kryetari i bashkisë Permet nuk emërohet nga kryeministri dhe as nuk shkon në shtëpi se ka përkatësi politike trë ndryshme nga ai.
Reagimi i plotë
SQARIM PËR BASHKËQYTETARËT E MI!
Të nderuar miq !
Këto dy ditë kam marrë dhjetra mesazhe, telefonata e komunikime të formave të ndryshme nga dashamirës, miq e bashkëqytetarë kuriozë, si dhe gazetarë që më kanë kërkuar komente, intervista apo nëse do të kisha një përgjigje lidhur me sa deklaroi në Përmet ditën e shtunë datë 23.02.2019, Kryeministri Z.Edi Rama dhe deputetja e zonës Znj.Mirela Kumbaro.
Me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Përmet, duke e ndjerë detyrim ndaj kujtdo që më ka mbështetur e inkurajuar por vecanerisht ndaj JU të nderuar miq përmetarë po sqaroj se:

Vizita e Kryeministrit e njëkohësisht Kryetarit te PS në Përmet dhe takimi i organizuar në Pallatin e Sportit të qytetit, ishte pjesë e turit të takimeve që Kryeministri po organizon me sloganin “Bashkia që duam’’.
Por , ajo cka ka ngjallur debat dhe interes publik duke u bërë pjesë e lajmeve dhe informacioneve që kanë përcjellë mediat dhe portalet, i referohet deklarimit te Kryeministrit Rama se: Kryetari aktual i Bashkise duhet të shkojë në shtëpi .
Shkaqet pse une NIKO SHUPULI, Kryetari aktual i Bashkisë Përmet duhet të shkoj në shtëpi sipas Kryeministrit janë dy:
-numri i të punësuarve në bashkinë PERMET është mbi numrin e lejuar nga ligji si dhe po paguhen njerëz që nuk jetojnë në Përmet.
-bashkia nuk duhet të ketë një kryetar bashkie që nuk është përfaqësues i partisë së Kryeministrit.
Pra sic duket, ndonëse slogani i takimit ishte “Bashkia që duam“, në fakt deklarimet e Kryeministrit ishin për “Kryetarin që nuk duam“.
Lidhur me numrin e të punësuarve në Bashki deklaroj me përgjegjësi se:
Numri aktual i punonjësve nuk është mbi numrin e përcaktuar nga ligji sepse nuk ka asnjë ligj apo qoftë edhe akt nënligjor si VKM apo Udhëzim që përcakton numrin maksimal që lejohen të punësohen në bashki.
Eshte ligji organik nr 139/2015 “Për vetqeverisjen vendore”, i cili ka një dispozitë që shprehet mbi numrin e punonjësve të bashkise ku shprehimisht përcaktohet: neni 54/dh ……Keshilli i Bashkisë ka kompetencë të miratojë numrin maksimal të punonjësve të bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë.
Numri aktual i punonjësve të bashkisë Përmet që paguhen nga buxheti i Bashkisë përfshin: Administratën e Bashksië dhe Njësive Administrative Petran, Carshove, Piskove e Frasher, Punonjësit e Pastrim Gjelbërimit, Qendra Kulturore, Bujqësia, Pyjorja, Klubi i Sportit, Mirëmbajtja e objekteve të arsimit parauniversitar etj.
Ky numër është miratuar me vendim Këshilli të Bashkisë( ku shumicën e kanë përfaqësuesit e majtë) si dhe konfirmuar në Prefekturë, i cili është institucioni që ligji ngarkon për të verifikuar ligjshmërinë e vendimeve të këshillit.

Numri i të punësurave në Bashkinë Përmet është më i vogël për numër banorësh se numri i të punësuarve në shumicën e bashkive, jo vetëm në qarkun Gjirokastër por edhe kundrejt Bashkive të tjera ku drejtojnë përfaqësues të partisë së Kryeministrit Rama. Gjithashtu në bashkinë Përmet nuk paguhet asnjë person i vetëm që nuk ndodhet brenda territorit të Bashkisë Përmet.
Gjithashtu përgënjeshtroj fjalët e deputetes Kumbaro, se Bashkia Përmet paguan rreth 81% të buxhetit të saj për zërin paga & sigurime shoqërore dhe Ju deklaroj me përgjegjësi të plotë se zëri paga dhe sigurime shoqërore zënë vetëm 47 % të buxhetit të Bashkisë Përmet.
Pra nga sa më sipër, rezulton se kjo arsye nuk qëndron dhe informacioni që i është servirur Kryeministrit Rama dhe Znj.Kumbaro nga kushdo qoftë, është i gabuar ose me qëllime dashakeqëse.
Lidhur me arsyen e dytë përse duhet të shkoj në shtëpi, që ka të bëjë me mospërkatësinë time politike me atë të Kryeministrit Rama, dëshiroj të sqaroj se:
Unë kandidova e fitova duke kërkuar e marrë votën e të gjithë përmetarëve pa dallime politike dhe jam përpjekur tu shërbej të gjithëve pa asnjë dallim duke synuar të jem Kryetari që përmetarët meritojnë.
Suksesin ose jo të cdo kryetari Bashkie, e ca me tepër të nje Bashkie si Përmeti nuk e përcakton ngjyra politike e subjektit që e kandidon e që kryetari përfaqëson.
Eshtë aftësia, vizioni, përgjegjshmëria e përkushtimi në punë, stafi që ndërton, marrdhëniet që krijon me bashkëqytetarët që e zgjedhin si dhe aktorët e faktorët e tjerë që ndikojnë në zhvillim.

Une nuk fitova vetëm sepse përmetarët votuan kundër kandidatit rival, siç deklaroi Kryeministri. Unë u votova gjerësisht e masivisht për programin që ju paraqita përmetarëve dhe besimin që ata patën se unë ju jepja atyre garancinë që mund të realizoja premtimet e dhëna.
Modeli që unë ju kam ofruar përmetarëve këto pothuaj 3 vite e gjysmë, është padyshim krejteësisht i ndryshëm nga ai i paraardhësve të mi. Krahasimet dhe vleresimi i punës time nuk mund e nuk dëshiroj të bëhet me paraardhësit e mi por me objektivat dhe premtimet që unë ju dhashë përmetarëve.
Nqs qytetarët përmetarë janë të pakënaqur nga drejtimi i bashkise dhe nuk janë realizuar shumë prej atyre që kemi marrë përsipër, atëherë është krejtësisht e natyrshme që unë të shkoj në shtëpi e të merrem me dicka tjetër sepse edhe vetë nuk do të kem kurajon tju rikërkoj votën përmetarëve.
Kryetari i Bashkisë Përmet nuk emërohet nga Kryeministri i vendit kushdo qoftë ai, e nuk shkon në shtëpi sepse nuk ka përkatësinë politike të Kryeministrit të rradhës.
Përmetarët janë mjaftueshmërisht të pjekur dhe të zgjuar që të bëjnë dallimet në zgjedhjet politike me zgjedhjen e administratorit të shërbimeve që ju ofrohet atyre nga bashkia .
Mospërkatësia ime politike e njëjtë me atë të Kryeministrit Rama nuk e ka penguar Bashkinë Përmet të përjetojë transformimim më të madh shumëplanësh që nga mesi i viteve ‘80 .
Eshtë realitet i gjithëpranuar tashmë se në këto katër vite në Përmet është realizuar punë e investime sa në gjithë 40 vitet e fundit të marra së bashku.
Sot Përmeti konsiderohet pa asnjë hezitim si model zhvillimi për qytetet e vogla, është qyteti ku të ofrohet e mund të gjesh gjithcka përvec detit…

Sot Përmeti është më i bukur, më i pastër, më shumë i gjelbëruar, me standarte më të larta shërbimesh , me ujë të pijshëm 24 orë, me infrastrukturë të përmirësuar rrënjësisht është qendër e rëndësishme e turizimit duke konkuruar edhe me qytetet fqinje që kanë potenciale të mëdha si Saranda, Gjirokastra apo Berati që natyra e brezat i kane falur detin apo arkitekture unike të mbrojtur nga Unesco.
E padyshim që gjithë cka përshkrova më sipër kanë edhe rolin e kontributin tim dhe të stafit që drejtoj, e smë ka penguar aspak mospërkatësia politike me atë të Kryeministrit.
Ne fushatën e vitit 2015, Unë vura theksin te bashkëpunimi me cdo Kryeminister, Minister, drejtues insitucionesh qendrore apo lokale apo aktorë e faktorë të tjerë duke u shtrirë dorën e bashkëpunimit për të bërë më të mirën për PERMETIN.
Cdo financim i qeverisë apo nga institucione të tjera jashtë qeverisë ka ardhur si rezulat i projekteve që ka hartuar bashkia, aplikimit dhe cilësisë së këtyre projekteve, këmbënguljes, kërkesave të vazhdueshme, lobimeve dhe takimeve që në cilësinë e kryetarit të Bashkisë kam zhvilluar me shum aktore e faktore që kishin në dorë mundësinë e pranimit të projekteve tona.
Shum prej investimeve të realizuara për transformimin e Përmetit janë dhe njihen si investime të Bashkisë Përmet me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe sa herë që një investim është financuar nga qeveria qendrore(të cilat janë edhe taksat dhe kontributet e qytetarëve përmetarë)unë e kam përmendur, theksuar dhe falenderuar sa herë më është dhënë mundësia.

Bashkia Përmet përvec bashkëpunimit me qeverinë për financimin e projekteve, ka pasur një bashkëpunim të suksesshëm dhe Përmeti sot është i përzgjedhuri dhe i parapëlqyeri si partner i shumë donatorëve të huaj të rëndësishëm si PNUD, BE, Banka Botërore, institucione dhe shoqata të tjera të huaja.
Por është kaq e vërtetë edhe mirëmenaxhimi këto vite i të ardhurave të grumbulluara në buxhetin e bashkisë të cilat janë përdorur për investime.
Në ditët në vijim do tju paraqesim një listë të detajuar të investimeve të kryera JO me ndihmën e qeverisë por nga të ardhurat e bashkisë dhe donatorë të huaj.
Të nderuar miq.
Lista e arritjeve e sukseseve të mësipërme, padyshim ka ngritur pritshmëritë e përmetarëve. Jam i ndërgjegjshëm se nevojat dhe ajo cka përmetarët meritojnë janë shumë e shumë më tepër se këto të kryera në këto katër vite. Madje, janë vetë përmetarët ata që do ti vlerësojnë nëse ato që unë përshkrova më sipër konsiderohen suksese e nëse unë kam mundur ti mbaj premtimet e dhëna .
Une nuk kam patur shkopin magjik të realizoj gjithcka që i nevojitet Përmetit në këto katër vite por dukshëm është e qartë se është punuar shumë dhe realizuar shumë më tepër se premtimet e dhëna.
Përmeti turistik, zhvillimi afatgjatë i Përmetit ka nevojë për të gjithë ata që e duan Përmetin, ka nevojë për bashkëpunimin e të gjithëve pa dallime politike.
Kryetari i Bashkisë që duan përmetarët nuk identifikohet nga përkatësia politike e subjektit që e kandidon por duhet të jetë përfaqësues i denje i kulturës, qytetarisë dhe traditave më të mira përmetare
Ju faleminderit.

Artikulli paraprakGazetari-Klosit: Edhe ti je përzierë në fushatën zgjedhore, ke bërë atë që nuk duhej bërë
Artikulli tjetërDy lajme për të kuptuar si i kanë ulur pantallonat