Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka bërë një postim në rrjetin social “X” përmes të cilit thotë se DASH dënon sulmin e 29 shtatorit në ujësjellësin e Kosovës.
“ Dënojmë sulmin e 29 shtatorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit dhe do të vlerësojmë të gjitha ofertat e mbështetjes për këtë përpjekje. Falë punonjësve të urgjencës dhe të tjerëve, përfshirë KFOR-in për rivendosjen e furnizimeve thelbësore”, shkruan zyrtari amerikan.
Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit nga i cili rrezikohet furnizimi me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës, u dënua gjerësisht nga diplomacia perëndimore e cila i ofroi mbështetje Prishtinës në përballimin e situatës së krijuar pas tij.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës miratoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve thelbësore.
Të dielën Beogradi mohoi sërish çfarëdo përfshirjeje në sulmin që dëmtoi kanalin furnizues në Zubin Potok rreth 60 kilometra në veri të Prishtinës, nëpërmjet të cilit furnizohen me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit që janë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike.
Të shtunën autoritetet thanë se janë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në sulmin për të cilin policia dyshon se është përdorur një sasi e mjeteve shpërthyese prej rreth 15 deri në 20 kilogramë.
Prishtina e cilësoi sulmin si një akt terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian, i cili bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë.
Të dielën Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha hodhi poshtë akuzat e Prishtinës se Beogradi qëndron parapa sulmit.
“Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga (kryeministri Albin) Kurti”, tha Presidenti Vuçiç, duke nënvizuar se Serbia ndodhet nën një sulm “hibrid”, që synon “të ngadalësojë” rrugën evropiane të Serbisë, meqë javën e ardhshme pritet vendimi për hapjen e kapitujve të rinj në kuadër të negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.