Sulmi terrorist në Rusi, ambasada amerikane në Moskë: Shërbimet ruse keqinterpretuan dhe hodhën poshtë paralajmërimin

Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy, e ka lëshuar një komunikatë të pazakontë diplomatike të premten vonë, përmes së cilës i hodhi poshtë pretendimet e Qeverisë ruse rreth informatave që Shtetet e Bashkuara ia dhanë Moskës para sulmit terrorist të javës së kaluar në një sallë koncertesh në periferi të kryeqytetit, ku u vranë mbi 140 njerëz.

Tracy tha se disa zyrtarë rusë e “keqinterpretuan dhe e hodhën poshtë publikisht” dobinë e informatave që SHBA-ja ua kaloi shërbimeve ruse të sigurisë në fillim të këtij muaji, në lidhje me kërcënimet nga Shteti Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin në Moskë.

Në komunikatë, Tracy e përsërit se informatat u shkëmbyen në mënyrë të shkruar dhe shumë specifike, të besueshme dhe me kohë.

Ajo tha se SHBA-ja i dha këto informata përmes “politikës së kamotshme për ‘detyrën për të paralajmëruar’”, e cila mundëson shkëmbimin e informatave kur ka kërcënim ndaj civilëve të pafajshëm.

Kjo është një praktikë që SHBA-ja e ndjek jo vetëm me vendet aleate, por edhe me “vendet me të cilat ne mund të kemi mospajtime të thella, përfshirë me Rusinë”, tha ajo.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shkëmbejnë informata dhe gjithashtu do të “vazhdojnë t’i përgjigjen” kërkesave të Qeverisë ruse për ndihmë në lidhje me hetimin për sulmin terrorist në sallën e koncerteve Crocus.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha të premten se Uashingtoni kishte “shkëmbyer informata të qarta dhe me kohë me autoritetet ruse për të ndihmuar në parandalimin e sulmit dhe shpëtimin e jetëve të pafajshme”.

Zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, tha se përpjekjet e Rusisë për t’ia bartur fajin të tjerëve janë “absurde”.

Më 26 mars, drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Aleksandr Bortnikov, i përsëriti pretendimet e presidentit Vladimir Putin se jo vetëm Ukraina, por edhe Perëndimi ka gisht në sulmin vdekjeprurës.

Pa dhënë asnjë dëshmi, Bortnikov pretendoi se agjencitë perëndimore të spiunazhit mund të kenë qenë të përfshira në sulm gjithashtu, pavarësisht se e pranoi se kishte marrë informata nga Shtetet e Bashkuara në fillim të marsit për një sulm të mundshëm terrorist.

Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë disa herë për këtë sulm, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore kanë thënë se “është tejet e qartë” se Shteti Islamik është i vetmi përgjegjës për këtë sulm./ REL

Exit mobile version