Autoritetet në Kosovë thanë se të hënën në orët e mëngjesit është kryer një sulm me “lëndë djegëse” në konsullatën e përgjithshme të Turqisë në Prizren, por pa pasoja në njerëz.
Policia tha se besohet që mbi ndërtesën e konsullatës është hedhur shishe me benzinë e njohur si “koktej molotov”, ndërsa pesë persona janë ndaluar gjatë hetimeve për këtë rast.
Sulmi u dënua ashpër nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila e cilësoi atë si “një akt vandal nga persona të papërgjegjshëm që janë kundër një shteti demokratik e shumetnik si Kosova”.
Në një komunikatë të kësaj ministrie thuhet se, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka komunikuar me ambasadoren e Turqisë në Kosovë duke e dënuar aktin.
“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë të shkëlqyera dhe si të tilla ato nuk do të pengohen e as dëmtohen nga kurrfarë akti vandal e të izoluar që nuk ja duan të mirën Kosovës dhe marrëdhënieve miqësore me Turqinë”, thuhet në komunikatë.
Të hënën Kosova po kremton 104-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Qytetarë të shumtë janë mbledhur në Prishtinë, por edhe qytete të tjera të Kosovës ku 28 Nëntori tradicionalisht është kremtuar si ditë e flamurit kombëtar shqiptar.