Një ngjarje e rëndë ndodhi gjatë stërvitjes së skuadrës së “Vllaznisë”, kur trajneri Ernest Gjoka ishte objekt i një sulmi fizik me armë të ftohtë, fatmirësisht pa pasoja. Një person i armatosur me një thikë tentoi të godiste teknikun e skuadrës shkodrane, por Gjoka u shmang, duke evituar agresionin, që mund të rezultonte fatal për jetën e tij.
Më parë, agresori rreth 26 vjeç e kishte qëlluar trajnerin Gjoka me grusht nga pas. Policia erdhi menjëherë në fushën sportive “Reshit Rusi”, por pa mundur të arrestojë autorin e sulmit, ndërsa janë marrë në pyetje edhe 3 persona, si të dyshuar për lidhje me ngjarjen.
Trajneri Ernest Gjoka shkoi në Komisariatin e Shkodrës për të dhënë dëshminë e tij, në lidhje me konflikte të mundshme që mund të ketë.
Mësohet se në muajin dhjetor, trajneri Gjoka ka kërkuar praninë e policisë në stërvitjet e “Vllaznisë”, por nuk dihet nëse kjo është bërë për konflikte personale, apo për të vendosur rregull te tifozët. Për ngjarjen e rëndë reaguan edhe Bashkia e Shkodrës dhe drejtues të Klubit të Futbollit “Vllaznia”.
Bashkia e Shkodres dhe KF “Vllaznia” janë njohur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Fushën e Lëkurave, ku pas stërvitjes është goditur dhe kërcënuar me jetë traineri i ekipit të parë Ernest Gjoka.
Menjëherë, trajneri Gjoka, drejtuesit e Bashkisë dhe të Klubit, kanë komunikuar me Policinë e Shtetit, duke i vënë në dijeni për ngjarjen si dhe duke u kërkuar zbardhjen e plotë të saj dhe arrestimin e agresorit.
Ky akt i turpshëm, i cili nuk ka lidhje me qytetarinë e spikatur shkodrane, dënohet me vendosmërinë më të madhe nga ana e Bashkisë, Klubit, stafit drejtues-teknik dhe futbollistëve. Nuk përjashtojmë mundësinë e një prapavije të qëllimtë, ndoshta edhe të sponsorizuar, por që mbetet në duart e organeve kompetente që të zbardhet plotësisht.
Aktin e goditjes dhe të kërcënimit me jetë me armë të ftohtë- thikë të trajnerit Gjoka, futbollistët, stafi teknik dhe drejtues i KF “Vllaznia”, Bashkia e Shkodrës dhe tifozët e shumtë e konsiderojnë si goditje të qëllimshme, të mirëmenduar të dikujt/disave që duan të dëmtojnë“Vllazninë” në momentin e saj ndoshta më të mirë.
Në këto kushte Klubi dhe Bashkia e Shkodrës do t’i kërkojnë FSHF-së shtyrjen e takimit me Luftëtarin në Gjirokastër në një datë tjetër.