Pas gjithë këtyre, makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta vazhdon itinerarin në drejtim të rrugës së “Elbasanit”. Pesëdhjetë metra larg nga godina e ish-të përndjekurve politikë (sot), shkëputet busti nga pjesa tjetër e monumentit gjigant të diktatorit. Gjithashtu, makina IFA pëson defekt (i digjet freksioni) për arsye të peshës së madhe të demonstruesve të hipur mbi makinë dhe mbi monumentin e diktatorit. Turma e demonstruesve shkëput kavon nga makina dhe fillon të tërheqë vetë bustin e diktatorit, deri pranë Parkut të Lodrave në rrugën e “Elbasanit”. Gjithashtu, tek pjesa e mbetur e monumentit të diktatorit, nga këmbët deri tek gjoksi, afrohet një “Skodë” e parkut të mallrave me shofer Sulo Jaupaj. Shumë demonstrues e lidhin këtë pjesë të mbetur të monumentit me “Skodën”. Shoferi Sulo Jaupaj me makinën e tij lëviz afro dy kilometra nëpër rrugët e Tiranës i përshëndetur nga mijëra qytetarë. Në pjesën malore të rrugës së “Elbasanit” për t’u ardhur në ndihmë demonstruesve të lodhur, vjen një autobus me ngjyrë të kuqe, që ishte i punëtorëve të minierës së Krrabës. Kjo makinë drejtohej nga një shofer zeshkan 50-vjeçar, që quhej Hysen Alla.
Autobusi ishte i mbushur me minatorë. Minatorët dhe protestuesit e lidhën shpejt e shpejt bustin e diktatorit pas autobusit. Pastaj, Hysen Alla e drejton makinën e tij për tek godina e studentëve grevistë. Kur autobusi mbërriti atje, shpërtheu një gëzim i jashtëzakonshëm midis studentëve grevistë të urisë të ngujuar dhe protestuesve. Busti i diktatorit u la i varur lart tek godina e studentëve grevistë. Pasdite, mjaft qytetarë mblidhen përsëri tek Sheshi “Skënderbej”. Shumë prej tyre filluan të thyejnë bazamentin prej mermeri të errët të ish-monumentit të diktatorit. Mbasi u errësua, minatorët e Krrabës e rilidhën përsëri bustin e diktatorit tek autobusi i tyre. Pas kësaj, autobusi me disa minatorë brenda vazhdon itinerarin për tek rruga e “Kavajës”. Në zonën pranë ambasadave, policia gjuan me snajper autobusin dhe i thyen dy xhama. Arrestohen dhjetë minatorë, midis tyre zotërinjtë Hysen Alla, Vladimir Xhillari, Agim Abazi, Arben Lame, Luan Paja (ish-themeluesi i degës së PD-së për minierën e Krrabës, i vdekur) etj. Po atë ditë në qytetet e Gjirokastrës dhe të Korçës rrëzohen monumentet e diktatorit komunist. Radiotelevizioni Shqiptar si dhe agjencitë e huaja të lajmeve jepnin njoftimin se në Tiranë, në mesditë, u rrëzua monumenti gjigant i diktatorit komunist.
Në ora 20:00 shfaqet në televizionin shqiptar Ramiz Alia, ish-President i Republikës, i cili në një prononcim të tij publik ndër të tjera thotë: “Sot, kryeqyteti ynë kaloi një nga ditët më dramatike dhe të rënda të jetës së tij. Turma të irrituarish, duke humbur çdo arsye logjike kaluan në akte vandalizmi dhe arritën të rrëzonin monumentin e Enver Hoxhës”.
Pas orës 21:00 të asaj nate dhe në ditët në vazhdim, policia dhe Sigurimi komunist bazuar në filmimet e kamerave sekrete dhe nga të dhënat e informatorëve të tyre të infiltruar midis protestuesve, arrestoi rreth 300 protestues. Ndër ta, afro 70 veta u dënuan me burgime të ndryshme me akuzat për grumbullime të paligjshme, shkatërrim monumentesh dhe goditje të përfaqësuesve të shtetit. Me qindra qytetarë të tjerë u pushuan nga puna.