Raportet në Spanjë sugjerojnë se sulmuesi i Juventus Cristiano Ronaldo do të jetë i pranishëm në finalen e Copa Libertadores, dhe do të ulet përkrah Messi-t.
River Plate dhe Boca Juniors do të ndeshen në Bernabeu të dielën, pasi ndeshja e kthimit e finales është shpërngulur në Madrid pas trazirave në Monumental.
Juventus do të luajë ndaj Inter të premten, dhe AS raporton se Ronaldo do të rikthehet në Madrid për të parën herë që pas largimit gjatë verës.
Ndërkohë, Barcelona do të luajë derbin ndaj Espanyol të shtunën dhe, si një argjentinas, Messi do të shkojë për të parë ndeshjen një ditë më pas. Gazetat besojnë se presidenti i Real Madrid Florentino Perez do të t’i ulë pranë në tribunën presidenciale , si shenjë respekti për arritjet e tyre në dekadën e fundit.
Sipas të përditshmes spanjolle, AS, Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut është pajtuar që Messi dhe Ronaldo të marrin trajtim më të veçantë në ndeshjen e kësaj fundjave.
Nëse Ronaldo e pranon këtë ftesë, atëherë do të jetë hera e parë që ai shkel në stadiumin Santiago Bernabeu qysh nga koha kur u transferua në Juventus për 112 milionë euro.
Ndeshja kthyese e finales së Copa Libertadores, mes Boca Juniors dhe River Plate, pritej të zhvillohej të shtunën në orën 21:00. Megjithatë, ajo u shty për të dielën në po të njëjtën orë, për shkak të incidenteve që u shkaktuan nga tifozët e River Plate.
Ndeshja nuk u zhvillua as të dielën, pasi që lojtarët e Bocas nuk ishin ende një gjendje mjaftueshëm të mirë shëndetësore për ta zhvilluar atë. Tani është vendosur që kjo ndeshje të zhvillohet të dielën, më 9 dhjetor, në Santiago Bernabeu.
Gjatë kohës kur autobusi i Boca Juniors po shkonte drejt stadiumin “Monumental”, u sulmua nga tifozët e River Plate, të cilët filluan ta gjuajë atë me gurë, duke i thyer të gjithë xhamat dhe duke i shkaktuar kështu disa lëndime lojtarëve që gjendeshin brenda.
Dy lojtarë të Bocas ishin dërguar në spital për të marrë trajtime, ndërsa disa të tjerë kishin vjellë në zhveshtore. Lojtarët thanë se nuk janë në gjendje mjaft të mirë shëndetësore dhe mendore për ta zhvilluar ndeshjen, e cila fillimisht ishte shtyrë për 2 orë.
River-Boca do të jetë “miqësorja” më e shtrenjtë e historisë
E ka fituar 3 herë finale e Libertadores me fanellën e Boca Juniors, është një nga futbollistët më të mirë Argjentinas, por as ai nuk e pranon aspak faktin që finalja e kthimit e “Superclasico” mes River Plate dhe Boca Juniors të mos luhet në “shtëpinë” e saj, por në Madrid. Ky është ish-sulmuesi Juan Roman Riquelme, që e quan si të gabuar vendimin për të zhvilluar këtë finale në një shtet tjetër, aq më tepër në Europë, shumë larg Argjentinës.
“Është e trishtueshme që kjo ndeshje do të luhet jashtë Argjentinës, pasi kjo ndeshje i përket këtij populli, është pjesë e tij. River dhe Boca janë dy ekipet më të mëdha të Argjentinës, që e kanë çuar futbollin e këtij vendi në majën e botës”, tha Riquelme, pas vendimit që finalja e kthimit të luhet më 9 dhjetor, në stadiumin “Santiago Bernabeu”, në Madrid.
Më tej, ish-sulmuesi shton: “Më duket si një ndeshje miqësore që luhet në Europë, si miqësorja më e shtrenjtë e historisë. Po çfarë do të bëjmë ne argjentinasit kur kjo ndeshje do të riluhet sërish sezonin tjetër në kampionat? Kur gjërat do të jenë normale… Mos do ta luajmë sërish në Europë? Është absurd që ky takim nuk do të luhet në vendin tij. Është njësoj sikur finalja e Champions League mes Real dhe Barça të luhet në Argjentinë”.