Kupa e Spanjës, e njohur si Kupa e Mbretit, do të dhurojë duele shumë të forta që në turin e 1/8 të finaleve, ku kanë kaluar të gjitha ekipet pretendente. Fati e desh që ato të ndeshen njëra me tjetrën, pasi goglat e shortit i kanë vënë përballë.
Atletik Bilbao, një skuadër e cila zakonisht ecën në Kupën e Mbretit, do të luajë që në këtë tur ndaj Barcelonës, një duel që ka rezultuar dy herë në 5 edicionet e kaluara në finale, të mbyllur gjithmonë me suksesin e katalanasve.
Sfidë po aq e fortë është edhe Real Madrid-Sevilja, klube të cilat jo rastësisht gjenden edhe në Ligën e Kampioneve dhe kanë pretendime serioze. Ndërkaq, një duel i fortë në letër është edhe ai i surprizës së këtij sezoni në Spanjë, Las Palmas, ndaj Atletiko Madrid të Diego Simeones.
Në çerekfinale do të kalojë medoemos një skuadër e kategorisë së dytë spanjolle, pasi shorti ka caktuar që Alkorkon të ndeshet me Kordobën në këtë raund, të dy skuadra të kësaj kategorie inferiore.