Supergrabitja, tërhiqet Prokuroria e Krujës, dosja tek Krimet e Rënda

Dosja e supergrabitjes në “Rinas” si dhe procedimet e tjera të lidhura me këtë ngjarje, do të hetohen të gjitha nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Shtatë ditë pas ngjarjes Prokuroria e Krujës, e cila ka në juridiksion pistën e Aeroportit “Nënë Tereza” ku ndodhi grabitja, ka shpallur mos kompetencën për ta hetuar këtë çështje, duke e transferuar hetimin Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ky vendim është marrë këtë të enjte teksa Prokuroria e Krujës, e cila hetoi 5 zyrtarët e arrestuar për shpërdorim detyre shpalli mos kompetencë, duke përcjellë aktet hetimore pranë Krimeve të Rënda. Burime pranë akuzës, thanë për se ky vendim është marrë pas dyshimeve se grabitja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.
Pas këtij vendimi pritet që 5 të arrestuarit përfshi zyrtarët e kompanisë private të sigurisë në Rinas ICTS, shoqëruesi i parave nga kompania “Nazeri 2000” dhe drejtuesi teknik i aeroportit Vangjel Nikolli do të dalin sërish para Gjykatës së Krimeve të Rënda për vlerësim e masës së sigurisë si Gjykatë Kompetente.
Ndërkohë që dosjes pritet t’i bashkëngjiten edhe hetimet për dy grabitjet e tjera të ndodhura në segmentin Rinas-Tiranë për të cilat ka dyshime se janë i njëjti grup, i cili ende nuk është zbuluar.
Një ditë më parë Prokuroria e Krujës bëri sekuestrimin e të gjithë provave shkresore në lidhje me këtë hetim, i cili është zgjeruar edhe në gjetjen e përgjegjësive për dështimin e sigurisë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend.

Hetimet

Tre personat e armatosur dhe të maskuar arritën që të merrnin shumën e parave në aeroport me lehtësi, pasi nuk pati rezistencë nga rojet private të sigurisë dhe as nga policia. Rojet private ishin të paarmatosur për shkak se nuk lejohet prania e armëve në pistë. Ligji i 10 korrikut 2014 i jep të drejtë rojeve private që të jenë të pajisur me armë zjarri, kur kanë nën ruajtje objekte të rëndësisë së veçantë.
Por, kontrata e kompanisë private ICTS që ruan rrethimin e pistës së aeroportit nuk parashikon përdormin e armëve. Ndërkohë, hetuesit kanë analizuar kamerat e sigurisë së rrugëve, për të parë lëvizjet e grabitësve që u larguan në drejtim të paditur. Burimet nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, janë verifikuar lëvizjet në aksin Rinas-Ura e Tapizës dhe në Fushë Krujë-Vorë gjatë intervalit kohor 14:20 deri më 15:00.
Nga këto pamje, dyshohet se njëri nga mjetet e largimit ka qenë një furgon transporti që dyshohet se ka hyrë në zonën e Laknasit, ndërsa makina tjetër ka marrë drejtimin e Vorës. Por mbetet për t’u sqaruar, nëse këto mjete të dyshuara janë pikërisht, ato që kanë përdorur autorët e grabitjes, ende të paidentifikuar.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se grabitësi në orën 14:23 minuta ka prerë drynin e portës nr.3 të aeroportit, duke hyrë brenda perimetrit të sigurisë dhe në ora 14:27 minuta ka dalë po nga e njëjta portë makina me grabitësit dhe dy thasët e mbushura me para.
Ndërtimi i identikiteve të tre autorëve
Dëshmitarë të ndryshëm të grabitjes në Rinas kanë dhënë detaje për ndërtimin e identikiteve të tre autorëve që janë ende në kërkim. Dy prej autorëve mendohet se janë të moshës 25 deri 35 vjeç, me fizik të rregullt dhe me gjatësi trupore nga 1.65 cm deri në 1.80 cm. Autori i tretë i vjedhjes, referuar pamjeve, dyshohet se është rreth 1.60 deri 1.70 cm, pak i shëndoshë, i moshës mbi 35 deri 40 vjeç. Këto të dhëna duket se kanë përputhje me ato të ngjarjes së ndodhur në dhjetor 2015, në Qafën e Kasharit.
Në atë ngjarje, sipas deklarimeve të marra nga policët privatë dhe dëshmitarët, autorët ishin pesë persona, të përshkruar si me trup mesatar, të mbushur, me konstrukt të rregullt trupor, me gjatësi rreth 175-180 cm, me veshje si të policisë, në dukje ngjyrë blu, me xhepa anash, me jelekë dhe me kambale në këmbë, me maskë në fytyrë si të forcave speciale, me syze në sy. “Pozicionet e tyre ishin të ndara, pasi disa qëndruan tek blindi dhe dy te makina ku ndodhej personeli i shoqërimit. Të gjithë autorët mbanin me vete armë kallashnikovë. Përveç kësaj, personat që kanë bllokuar punonjësit e autoveturës së shoqërimit mbanin edhe armë pistoletë në brezat e tyre”, thuhet nga dëshmitarët.

Autorët e supergrabitjes në Rinas kanë përdorur 3 makina për t’u larguar

Autorët e supergrabitjes në Rinas, dyshohet se kanë përdorur 3 makina për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Automjeti i parë është “Mercedes Benz” ngjyrë vishnje që pamë të gjithë përmes pamjeve që regjistruan kamerat e sigurisë. Autorët e dogjën këtë mjet vetëm pak minuta pas grabitjes tek Ura e Gjolës në Fushë-Krujë. Ndërkohë, burimet nga Prokuroria bëjnë të ditur se, autorët kanë përdorur edhe dy makina të tjera. Ata thanë gjithashtu se, janë sekuestruar pamje filmike të disa kamerave të sigurisë së bizneseve në rrugën Rinas drejt urës së Tapizës dhe rrugës për Fushë-Krujë dhe Vorë nga dyshohet se lëvizën autorët. Nga këto pamje, thanë burimet janë verifikuar lëvizjet prej orës 14:20 minuta deri në ora 15:00, kohë kur mendohet se grabitësit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe vendi i ngjarjes (djegia e makinës së grabitjes).
Nga këto pamje, dyshohet se njëri nga mjetet e largimit ka qenë një furgon transporti, i cili ka hyrë në zonën e Laknasit, ndërsa makina tjetër ka marrë drejtimin e Vorës. Por mbetet për t’u sqaruar nëse këto mjete të dyshuara janë pikërisht, ato që kanë përdorur autorët e grabitjes.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, grabitësit në orën 14:23 minuta kanë prerë drynin e portës nr.3 të aeroportit, duke hyrë brenda perimetrit të sigurisë dhe në ora 14:27 minuta ka dalë po nga e njëjta portë me dy thasët e mbushura me para. Nga verifikimi i telefonatës së bërë në sallën operative të policisë, rezulton se operatori i saj është njoftuar nga punonjësit e monitorimit të kamerave të sigurisë pikërisht në ora 14:33 minuta, 10 minuta, pasi ishte thyer perimetri i sigurisë së aeroportit.
Nga ana tjetër, burime nga policia thonë se në paruken e gjetur pranë vendit ku është djegur makina e grabitësve, janë gjetur mbetje yndyrore që laboratori ka arritur të identifikoje një profil të ADN-së. Por pritet, që në përfundim të raportit të ekzaminimit biologjik nga laboratori të publikohen të dhënat zyrtare për personat e dyshuar.

Exit mobile version