Shteti ra në Aeroport

Supergrabitje nga maskat në ambientet e brendshme të Aeroportit të Rinasit. Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë, rreth orës 14:45, një ditë pasi Ministria e Brendshme deklaroi se janë shtuar masat e sigurisë në Aeroportin e Rinasit pas sulmeve terroriste në Aeroportin e Stambollit. Tri persona të maskuar dhe të armatosur pasi prenë menteshat e portës të jashtme që ndodhet në krahun e rrugës Rinas-Fushë-Krujë kanë hyrë në rrethimin e brendshëm në Aeroportin e Rinasit, në momentin që një shumë e konsiderueshme parash po ngarkohej në avion për t’u dërguar jashtë Shqipërisë. Pasi kanë hyrë me makinë në pistën e avionëve në aeroport, autorët i janë drejtuar me armë kallashnikov drejtuesit të mjetit që transportonte një sasi prej miliona eurosh.
Nën kërcënimin e armës grabitësit kanë detyruar punonjësit e firmës së sigurisë “Nazeri 2000”, që të dorëzojnë thasët me para. Pasi kanë marrë sasinë e valutës, autorët janë larguar me shpejtësi. Policia nuk jep asnjë shifër për grabitjen, ndërsa sipas burimeve të besueshme llogaritë janë në miliona euro. Grabitësit kanë hyrë nën hundën e forcave të shumta të policisë, duke thyer portën e dytë të hyrjes në pistën ku ulen dhe ngrihen avionët. Makina me personat e armatosur dhe të maskuar ka shkuar tek avioni dhe grabitësit kanë rrëmbyer çantat me para. Pas kësaj mjeti është drejtuar për në fund të zonës së pistës së avionëve duke çarë rrethimin dhe duke ikur për në drejtim të Fushë-Krujës.
Sipas burimeve, autorët e kanë braktisur dhe djegur automjetin tek Ura e Tapizës, pranë një plantacioni me hurma. Grabitësit i kanë vënë flakën makinës me të cilën kanë realizuar grabitjen, e cila është gjetur e djegur në Fushë-Prezë. Pas marrjes së njoftimit nga ana e policisë, dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s janë nisur për në Rinas, por pa mundur të zbulojnë auuorët e grabitjes.
Policia e Tiranës ka reaguar pas grabitjes në Aeroportin e Riansit. Përkundër propagandës prej dy ditësh, për masat e shtuara të sigurisë në aeroport, Policia e Tiranës ia ka lënë përgjegjësinë e grabitjes shërbimit të sigurisë private që menaxhon Aeroportin e Rinasit. Policia e Tiranës bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, është njoftuar se rreth orës 14:45 në sheshin e brendshëm të fluturimeve të Aeroportit “Nënë Tereza” ka ndodhur një grabitje me armë. Menjëherë janë angazhuar shërbimet policore në aeroport dhe forca shtesë nga Drejtoria vendore e Kufirit.
“Nisur nga informacioni paraprak, raportohet se është grabitur një sasi monetare, që po transferoheshin me mjetet e SHPSF ‘Nazeri 2000’, nga terminali drejt avionit. Dyshohet se autorë të grabitjes janë të paktën 3 persona. Ata hynë në rrethimin e brendshëm të aeroportit, pasi prenë menteshat e portës së jashtme që ndodhet nga krahu i rrugës Rinas-Fushë-Krujë. Rrethimi i jashtëm sigurohet nga shërbimi i sigurisë së kompanisë private që menaxhon aeroportin. Pasi kanë marrë sasinë e valutës, autorët janë larguar me shpejtësi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë ndjekjes së autorëve policia ka gjetur të djegur mjetin tip “Benz”, që dyshohet se u përdor nga autorët. “Policia e Shtetit po vijon ndjekjen e tyre, me forca të shumta dhe nga ajri me helikopter. Forcat RENEA po ushtrojnë kontrolle në akset rrugore dhe zonat ku dyshohet se strehohen autorët. Vazhdojnë intensivisht kërkimet dhe hetimet për zbulimin dhe kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, përfundon njoftimi i policisë.
Grabitja e paprecendet në Rinas ka vënë në dyshim të madh sigurinë e të vetmit aeroport në vend. Vetëm një ditë pasi policia tha se, po bëjmë kontrolle të rrepta në Rinas, kemi shtuar forcat madje dhe qentë eksplozivë ndodh një ngjarje tejet e rëndë. Në mes të ditës tri persona të armatosur dhe me maska depërtojnë deri në pistë dhe arrijnë të grabisin thasë me para dhe të largohen pa asnjë problem.

Grabitja në Aeroport, Basha: Shteti ka rënë!

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar për supergrabitjen në Aeroportin e Rinasit, ku tri persona me maska e armë grabitën 3 milionë euro që do të transportoheshin jashtë shtetit. Basha shprehet se kjo grabitje dëshmon se shteti ka rënë, pasi persona me armatim të rëndë kanë hyrë në aeroport, në vendin që duhet të ishte territori më i sigurt.
“Grabitja e armatosur sot në Rinas, në atë që duhej të ishte territori më i sigurt në vend, dëshmon se rendi ka rënë, se shteti ka rënë. Persona me armatim të rëndë e me maska, shkojnë deri tek pista e avionëve, grabisin paratë, vetëm një ditë pasi u deklarua se në Aeroportin e Rinasit janë përforcuar kontrollet në kuadër të masave kundër terrorizmit, pas sulmeve në Stamboll”, deklaron Basha.
Basha shprehet më tej se, policia është e angazhuar duke ruajtur parcelat me kanabis, duke përgjuar e shantazhuar gjyqtarë dhe duke dhunuar qytetarë. “Ku janë cubat e Tahirit apo me siguri duke ruajtur parcelat me kanabis të Habilajve për llogari të shefit, duke kundruar udhëtimin e skafeve me drogë që kanë pushtuar Jonin dhe Adriatikun, duke përgjuar në mënyrë të paligjshme e shantazhuar gjyqtarë e prokurorë, duke dhunuar e gjobitur qytetarë e biznesmenë apo duke arrestuar gra dhe pleq për kuponin e një kg qepe apo 2000 lekë drita të papaguara”, deklaroi Basha.
Basha thekson se, kjo ngjarje e rëndë është një akuzë direkte për Saimir Tahirin dhe Edi Ramën. “Kjo ngjarje e rëndë, që ka shkallmuar çdo standard të sigurisë, është një akuzë direkte për Saimir Tahirin dhe Edi Ramën. Në pushtetin e tyre krimi s’ka kufij, ka mbrojtje, ka liri. ‪#‎Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, përfundon Basha.

Në pistën e Rinasit, asnjë polic kur arritën grabitësit

Makina tip “Mercedes” me tri grabitësit eci afërsisht 1 kilometër në pistën e Rinasit, deri kur arriti tek dy furgonat me para pranë avionit. Tri persona të maskuar dolën nga makina dhe i drejtuan armën shoferit të furgonit, që qëndroi pa lëvizur. Pranë avionit ishin dy furgona me para, nga një prej bankave më të mëdha të nivelit të dytë në Shqipëri.
Njëri nga furgonët ishte i hapur. Grabitësit kanë mundur të marrin dy thasë me para. Furgoni tjetër ishte i mbyllur dhe grabitësit nuk kanë pasur kohë për ta hapur. Ajo që vlen për t’u përmendur është se në pistë nuk ishte asnjë nga rojet e kompanisë së sigurimit, për shkak se hyrja e tyre në pistë është e ndaluar. Dyshohet se grabitësit ishin informuar për këtë detaj që ka qenë vendimtar në suksesin e spektaklit të paprecedent, në një aeroport që ruhej nën masa të rrepta sigurie, për shkak të masave antiterror.
Prokuroria nis hetimet, sekuestrohen kamerat
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për grabitjen e parave në pistën e Aeroportit të Rinasit. Burimet bënë ditur se janë sekuestruar kamerat e sigurisë në Aeroportin e Rinasit, ku ndodhi grabitja e rreth 3 mln lekëve që po transportoheshin në një avion për të dalë jashtë vendit.
Grupi hetimor është duke i analizuar ato për të bërë të mundur identifikimin e tri grabitësve. Por pamjet e grabitjes janë regjistruar nga një largësi e konsiderueshme çka e vështirëson punën për zbardhjen e ngjarjes.
Aktualisht janë shoqëruar dhe po merren në pyetje tre punonjës të shërbimit të “security”. Ndërkohë policia bëri të ditur se ka zbuluar se kush ka qenë pronari i mjetit tip “Benz” të djegur në Priskë. Mësohet se ai është nga Pogradeci dhe se mjetin e kishte denoncuar të vjedhur disa ditë më parë.
Policia bëri të ditur se ka dyshime për bashkëpunim të punonjësve të “security” “Nazeri 2000” me grabitësit e parave të bankës. Kompania private e sigurisë “Nazeri 2000”, krahas bankës së cilës po i transportonte paratë jashtë shtetit, ruan edhe një pjesë të Aeroportit të Rinasit. “Nazeri 2000” dhe kompania ICTS ndajnë së bashku sigurinë e aeroportit.

3 milionë euro, shuma e grabitur

Shuma e parave të grabitura dje në Aeroportin e Rinasit dyshohet se është 3 milionë euro, por shuma e grabitur mund të jetë edhe më e madhe. Paratë janë grabitur teksa po transportoheshin për të dalë jashtë vendit me avion.
Dyshohet se kanë qenë më shumë se tri persona kanë arritur të kryejnë grabitjen në pistën e Aeroportit të Rinasit, në momentin që një shumë e konsiderueshme parash po ngarkohej në avion për t’u dërguar jashtë Shqipërisë. Grabitësit kanë hyrë duke thyer portën e dytë të hyrjes në pistën ku ulen dhe ngrihen avionët, duke e goditur me makinë atë.
Pasi kanë hyrë në pistë (në rrethimin e brendshëm të aeroportit), nën kërcënimin e armës kanë detyruar punonjësit e firmës së sigurisë “Nazeri 2000”, që të dorëzojnë thasët me para. Pasi kanë marrë sasinë e valutës, autorët janë larguar me shpejtësi. Mësohet se grabitësit i kanë vënë flakën makinës me të cilën kanë realizuar grabitjen në Fushë-Prezë. Ndërkaq policia bën të ditur se është gjetur makina e grabitësve, pranë urës së Tapizës.

Paratë e grabitura në Rinas i përkasin “Raiffeisen Bank”

Thasët me para që u grabitën mesditën e djeshme në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, raportohet se i përkasin “Raiffeisen Bank”. Paratë e dërguar në Rinas nga kompania e policisë private “Nazeri 2000”, po lëvizeshin për llogari të bankës dhe kishin si destinacion Vjenën.
Raportohet se rreth 3 milionë euro është shuma e grabitur, megjithatë nuk ka ende një konfirmin zyrtar. Policia ka deklaruar se katër persona të armatosur kanë hyrë në pistën e ulje-ngritjes së avionëve në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Grabitësit kanë prerë rrethimin e pistës dhe bashkë me automjetin e tyre kanë hyrë në brendësi të rrethimit të aeroportit. Avioni i linjës udhëtonte drejt Italisë dhe kishte rreth 150 persona, të cilët do të udhëtonin në drejtim të shtetit fqinj. Pikërisht nga ky avion janë marrë katër thasë me para.
Gjatë ngjarjes ka pasur edhe të shtëna me armë në ajër nga grabitësit për të trembur policët privatë. Grabitja ndodhi vetëm një ditë pas shtimit të masave të sigurisë në aeroport, pas sulmeve terroriste në Aeroportin e Stambollit. Ndërkohë, asnjë nga autorët e dyshuar nuk është arrestuar ende.

R.POLISI

Artikulli paraprakBylykbashi: Jo Reformë në Drejtësi që e ka bazën tek konflikti
Artikulli tjetër3 supergrabitjet e bandave në një vit nën hundën e policisë