Një fillim i ri për Tiranën. Në të gjitha kuptimet. Këtë e kanë kuptuar mbi të gjithë tifozët ultras. Oksigjeni i skuadrës. Mbështetësit bardheblu pritet të rikthehen në stadium, për të qëndruar pranë ekipit. Lufta brenda llojit, që ka zgjatur për afro shtatë muaj, ka përfunduar. Asgjë nga ajo që ka ndodhur nuk është harruar, por të gjithë janë të gatshëm të shohin përpara, për ta rikthyer klubin në vendin që i takon.
Tifozët po përgatisin rikthimin në stadium, në ndeshjen e parë të kampionatit të Kategorisë së Parë, më 16 shtator, ku Tirana do të presë në “Selman Stërmasi” Ilirinë. Qëndrimi pranë skuadrës ka kohë që diskutohet në grupimin e organizuar të tifozëve, që tashmë kanë marrë edhe përgjigje nga skuadra në fushë. Finalja e fituar e Superkupës përballë Kukësit ishte konfirmimi se te Tirana ka një projekt serioz për të ardhmen. Afrime cilësore, lojë e bukur dhe një ekip që bind për të tashmen dhe mbi të gjitha për të ardhmen.
Tifozët do të bashkohen me ekipin për ta kthyer menjëherë Tiranën në elitë dhe paralelisht për të luftuar për të fituar sërish Kupën e Shqipërisë, duke siguruar një biletë në Europë.