Një numër prej 13 shqiptarësh janë arrestuar orët e fundit në Itali dhe Greqi, pasi akuzohen për vjedhje dhe trafik droge. Kështu, në Itali janë arrestuar 7 shqiptarë, gjatë operacionit të koduar “Ofline”.
Grabitësit vepronin në Toscana dhe Umbri dhe piketonin banesat, ku merrnin ç’të mundin, nga paratë deri te bizhuteritë apo sendet e arit. Këto materiale më pas shiteshin dhe paratë dërgoheshin në Shqipëri.
Ndërsa në një tjetër aksion të zhvilluar në Itali u arrestuan 3 shqiptarë të moshave 26, 35 dhe 39 vjeç, të cilët njiheshin si “banda e Audit A8”. Ata përdornin një makinë të tillë, të vjedhur, për të shkuar te banesat që grabisnin. Në Itali u arrestua edhe Erald Sulçaj, 32 vjeç, i cili u kap me 5.2 kg hashash.
Ndërsa në Greqinë Veriore, u shkatërrua një rrjet kriminal që qarkullonte sasi të mëdha kokaine dhe kanabisi.
Shumica e anëtarëve të këtij grupi ishin nga Selaniku, ndërsa njëri ishte shqiptar, 45 vjeç. Atyre iu sekuestruan 61 kg hashash, disa gramë kokainë, 2 mijë euro dhe 21 mijë lek shqiptare. Në aksionin e pestë, në Rodos të Greqisë u arrestua një shqiptar 25 vjeç, pasi u kap me 5 kg hashash.