Suso nderon Milanin

Tomas Strakosha rikthehet titullar në katërkëndësh, por Lazio nuk shkon më shumë se barazimi 1-1 ndaj Milanit në “Olimpico” edhe pse dominoi sfidën gjatë gjithë 90 minutave duke shpërdoruar disa raste të pastra. Portieri i kombëtares shqiptare përfitoi nga një dëmtim i Marchettit vetëm pak minuta përpara fillimit të ndeshjes, duke veshur dorezat për të mbrojtur katërkëndëshin ndaj Milanit, ashtu siç bëri edhe në fazën e parë me debutimin në “San Siro”. Bardhekaltërit përballë kuqezinjve u shfaqën superiorë pasi Milan u prezantua në këtë sfidë me shumë mungesa dhe disa të rinj që nuk arritën të bënin asgjë duke ia besuar fatin e ndeshjes spanjollit Suso që ngriu vendasit në fundin e ndeshjes. Ishte pikërisht Strakosha që priti një finalizim të Ocampos në minutën e 29 duke ruajtur të paprekur katërkëndëshin e Lazios dhe më pas ndeshja mori vetëm një drejtim me skuadrën e Inzaghit që dominoi në çdo cep të fushës ndaj një Milani pa identitet. Ndeshja u zhbllokua në sekondat e fundit të pjesës së parë kur pas disa tentativave në zonën kuqezi, Imobile u gjend i vetëm përballë Donarumas, duke u bllokuar në mënyrë të parregullt nga portieri i Milanit. 11-metërsh që u transformua në gol nga kapiteni Lucas Biglia.
Me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës, Milani u dorëzua pa kushte, por ishte fati që e ndihmoi në disa raste, por edhe mungesa e qartësisë në finalizim për vendasit që rrezikuan në disa raste me Anderson (54), por edhe Keita e Immobile. Në minutën e 74, Strakosha shpëtoi sërish portën e Lazios pas një goditjeje dënimi të Suso-së, ndërsa pak sekonda më vonë ndali saktësisht goditjen e Pasalic. Në krahun tjetër, Lazio shpërdoroi raste të tjera me Milinkovic dhe Immobile, ndërsa në të 85-ën, Suso bëri gjithçka mirë duke hipnotizuar mbrojtësit e Lazios.
E pabesueshme, por e vërtetë, Milani cinik arriti të dilte me një pikë nga kjo transfertë e vështirë duke qëndruar në lojë për një vend në zonën europiane, ndërsa Lazio rrëshket në vendin e 6 duke u parakaluar nga Atalanta dhe Inter.

Artikulli paraprakStrakosha, ndër më të mirët
Artikulli tjetërBarça në ndjekje të Elseid Hysajt