“Synimi i SHBA-së është njohja reciproke”- DASH: Normalizimi Kosovë-Serbi e vetmja rrugë drejt BE

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se i vetmi opsion i Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian është normalizimi i marrëdhënieve.

 

DASH ka thënë se SHBA-ja nuk ndryshon qëndrim sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si rrugë për arritjen e një marrëdhënieje të normalizuar, paqësore dhe produktive mes të dyja shteteve.

“E ardhmja e të dyja shteteve është në institucionet evropiane; normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara. Ne presim që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha zotimet e tyre nga dialogu, plotësisht dhe pa vonesë apo parakushte”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për KOHËN.

Synimi afatgjatë politik i SHBA-së është “njohja eventuale e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë më tej.

Reagimi nga SHBA vjen pas bujës që ka bërë deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se nuk mendon që Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Artikulli paraprakTre hapa të thjeshtë që duhet të ndiqni për të hequr dorë nga një zakon i keq
Artikulli tjetërPas vendimit për rekurs, Basha prezanton ndryshimet në logon e PD: DEMOKRATËT EUROATLANTIKË