Synohet blerja e Alvaro Moratës

Kinezët që pritet të marrin kontrollin e Milanit duan që të prezantohen me një blerje të bujshme, pasi jo më kot kanë bërë me dije se për merkaton e verës do të vendosin në dispozicion të klubit plot 130 milionë euro për merkaton. Lajmin e bëri dje me dije “Gazzetta dello Sport”, sipas së cilës “Sino Europe Sport” ka përpiluar edhe listën e preferencave.
Edhe pse shumë janë skeptikë, “SES” do të kontrollojë plotësisht Milanin brenda 3 marsit. Më 1 mars, Milani ka paralajmëruar mbledhje të asamblesë së ortakëve, ndërsa dy ditë pas do të ketë një tjetër mbledhje ku do të zyrtarizohet kalimi i Milanit nga duart e Berluskonit tek ato të kinezëve. Këta të fundit në datën e caktuar do të derdhin 320 milionë eurot e mbetura “Fininvest”-it (kjo shumë u shtohet 200 milionëve të dhëna pak muaj më parë).
70 milionët e këstit të parë do të shërbejnë për mbylljen e humbjeve të Milanit në këtë sezon. “SES” lajmëroi se do të japë 100 milionë euro për të mbyllur humbjet e Milanit në këtë sezon (vlerësohen rreth 70 milionë euro). Shifra e mbetur (30 milionë euro) nuk mjafton për të forcuar Milanin dhe për këtë arsye kinezët janë gati t’i shtojnë edhe 100 milionë euro të tjera.
Në listën e merkatos së drejtuesve të “SES” janë shumë emra sulmuesish. Flitet se dy prej tyre shikohen me shumë përparësi. Kështu, kinezët vitin që vjen duan që të prezantohen duke blerë njërin mes Alvaro Moratës dhe Pierr-Emerik Aubamejang.
Ndërkohë, mediat spanjolle janë të bindura se, Francisco Roman Alarcon Suarez i njohur nga të gjithë si Isco do të largohet nga Reali i Madridit në fund të sezonit. Mungesa e hapësirave në formacionin e Los Blancos, me 25-vjeçarin që nuk aktivizohet rregullisht nga trajneri Zidane, ka bërë që Isco të marrë vendimin për të ndërruar skuadër në verë. Për mesfushorin e përfaqësueses spanjolle interesohen tri klube të mëdha Manchester City, Chelsea dhe Juventusi.

Artikulli paraprakFitore me goleadë
Artikulli tjetër52 milionë euro për 5 gola