Tabaku-Bylykbashi: Prona është e patjetërsueshme, nuk e merr dot as Edi Rama dhe askush!

• Jorida Tabaku: Njohëm delegacionin e Komisionit të Venecias me problemin e pronave në Shqipëri, i cili është një nga kriteret për hapjen e negociatave. Çështja e pronave ka pasur përkeqësim gjatë qeverisjes së Edi Ramës me miratimin e ligjeve antikushtetuese që bien ndesh me të drejtat e pronarëve.

• Oerd Bylykbashi: Mekanizmi djallëzor i Edi Ramës është fikja dhe eleminimi i Gjykatës Kushtetuese. Me bllokimin e sistemit të drejtësisë, pronarët nuk kanë mundësi të ankohen në Gjykatë Kushtetuese kundër padrejtësive të ligjeve antikushtetuese.

PRONONCIMI PËR MEDIA E JORIDA TABAKUT DHE OERD BYLYKBASHIT PAS TAKIMIT ME DELEGACIONIN E KOMISIONIT TË VENECIAS, PËR ÇËSHTJEN E PRONAVE NË SHQIPËRI

Jorida Tabaku: Patëm një takim me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias që kanë ardhur për të bërë një analizë dhe për të dhënë një opinion mbi situatën e çështjeve të pronave në Shqipëri.

Sigurisht që problemi është shumë kompleks, por 6 viteve të fundit ka pasur një përkeqësim dhe një shkelje të të drejtave të njeriut, jo vetëm si një prioritet i Bashkimit Europian e drejta e pronës për tu respektuar, por ajo që është më rëndësishme një e drejtë e njeriut e cila është shkelur.

Nuk është e re historia e kësaj qeverie, por në mënyrë specifike e Ramës, ka nisur në fakt që në kohën që ai ka qenë kryetar bashkie. Ne patëm mundësinë që të diskutojmë dhe të shpjegojmë në detaje çfarë ka ndodhur që nga viti 2013 e këtej duke nisur me ligjin antikushtetues të kthimit të pronave, ligj i cili nuk e njeh pronarin si pronarë të pronës së tij, duke vazhduar me grup tjetër ligjesh që lidhen me investitorët strategjikë dhe ligjin e Korporatës së Investimeve, që janë ligje qartazi që bien ndesh me të drejtën e pronarëve që marrin tokë private dhe publike dhe e lënë këtë në dorën e Edi Ramës për ta shpërndarë.

Duke vazhduar me ligjin e Kadastrës, duke vazhduar me ligje të cilat lidhen me të drejtën që kanë patur Këshilli Bashkiak për të marrë vendime të pronave me shumicë të cilësuar 2/3 dhe që është hequr javën e fundit. Diskutuam gjerësisht dekretin e Presidentit për Kadastrën një institucion i ri i cili në gjykimin tonë merr funksione të reja që nuk i takojnë këtij institucioni dhe kryeministrit për të vendosur mbi kufijtë e pronës, të drejta që i ka vetëm gjykata. Pra, shpalosëm çdo gjë që ka ndodhur me pronën private por njëkohësisht dhe atë publike.

Duhet të kemi parasysh se këtu po kalojmë në një nivel të ri, qeveria nga 2013 e këtej është sigurisht duke shkelur të drejtat e pronarëve nga njëra anë, por nga ana tjetër duke hartuar edhe ligje që krijojnë norma të paprecedentë për vende të tjera të rajonit.

Çështja e pronave është vendosur në fokus si pjesë e kritereve që duhen plotësuar si kritere për hapjen e negociatave por shqetësimi jonë mbetet e drejta e për të respektuar pronarin. Ne patëm mundësi që të reflektojmë dhe të shfaqim njëkohësisht edhe vizionin që ka Partia Demokratike për çështjen e pronës. Diskutuam mundësinë se si mund të zgjidhet dhe diskutuam që prona është një e patjetërsueshme dhe të drejtën e pronës nuk e merr dot askush, as Edi Rama.

Oerd Bylykbashi: Gjithashtu patëm mundësinë që me ekspertët e Komisionit të Venecias të shpjegojmë edhe themelin e gjithë këtij mekanizmi djallëzor që ka futur Edi Rama në raport me të drejtën e pronarëve për të marrë përsëri pronën e tyre. Kemi vite tashmë që e dimë që qeveria nuk kthen më prona, nuk kompenson dhe ka vënë një mekanizëm me të cilën ka rishpronësuar përsëri pronarët.

Dhe ajo që ne ua bëmë të qartë është se të gjithë ky proces i cili bllokoi kthimin e pronave, vënë në pikëpyetje titujt ekzistues të pronarëve ka një qëllim të vetëm që nëpërmjet këtyre mekanizmave; të Koorporatës Shtetërore të Investimeve, ligjit për Investime Strategjike ta marrë këtë pronë dhe t’ia japë oligarkëve për të zhvilluar ata interesat e tyre të biznesit sikur kjo të jetë interes publikë.

Interesi publik është respektimi i Kushtetutës dhe të drejtave që pronarët shqiptarë kanë dhe u bëmë të qartë që fikja dhe eleminimi i Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimi tashmë i sistemit të drejtësisë për të vënë në vend të drejtat e pronarëve qoftë për sa i përket aspektit kushtetues apo të drejtave të tyre ligjore është i qëllimshëm në kuadër të këtij mekanizmi, që pronarët të mos kenë mundësi të ankohen në Gjykatë Kushtetuese dhe në gjykatë kundër padrejtësive të ligjit. Ajo që bëmë ne të qartë është se Partia Demokratike kthehet në pushtet dhe këto ligje që shkojnë në dëm të pronarëve do të zhbëhen dhe ne do të rikthejmë të drejtat e tyre sigurisht duke përmirësuar të gjitha defektet që kanë çuar në zvarritjen e rëndë dhe duke eliminuar korrupsionin në kthimin e pronave.

1 18

Exit mobile version