Tabaku: Në listat e KLP-KLGJ njerëz me dosje

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka folur për listat e kandidatëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në studion e “News24”, deputetja demokrate u ndal tek shqetësimet e përcjella nga PD gjatë takimit të dy ditëve më parë për Këshillin e Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE. Tabaku tha se në këtë takim u shtrua pyetja se pse nuk u morën në konsideratë sugjerimet e ONM për kandidatët për KLP dhe KLGJ. “Nuk ka pasur zëra nga opozita që kanë qenë kundër. Ne i bëmë pyetjen përfaqësuesve në takimin e Stabilizim-Asociimit, se përse nuk u morën në konsideratë sugjerimet e ONM. Në listën finale të kandidatëve kanë qenë persona që kanë hetuar gjatë komunizmit, persona që prekeshin nga dekriminalizmi, apo që nuk kishin eksperiencën e duhur. Por PD mbështeti faktet e dhëna nga ONM. Aktualisht në KLGJ dhe KLP ka persona që kanë hetuar dhe kanë dhënë dënime gjatë komunizmit”, u shpreh deputetja Tabaku. Më tej, deputetja demokrate u ndal tek numri i lartë i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e BE. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka komentuar vendimin e dy grave nga lista e kësaj force politike për Qarkun e Beratit, të cilat refuzuan mandatin e deputetit pas dorëheqjes së Eduard Halimit.

Deputetja demokrate tha se dy zonjat kanë shpjeguar arsyet e vendimit të tyre, por nga ana e saj shton se është me rëndësi që të rritet numri i grave deputete. “Besoj se media ka kontaktuar me dy zonjat, kanë dhënë deklaratat e tyre. Personi që do futet është i dyti në listë. Unë si deputete grua kam një mendim totalisht ndryshe për listat. Mendoj se zonjat janë shumë të afta të futen në Parlament, sa më shumë në numër, ndryshe nga 30%. Pra mendoj se zonjat janë mjaft të afta, dhe mos të duket sikur bëhet fjalë për një mandat të dhuruar. Unë e kam parë pozitivisht sa herë janë futur zonja në Parlament”, u shpreh deputetja Tabaku.

Exit mobile version