Tabaku: Si u shpenzuan 8.1 miliard euro për shpenzime luksi dhe tendera për oligarkët

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehet se qeveria e rilindjes e rriti borxhin publik në 8.1 miliard euro. Këto para, vijon Tabaku, u përdorën për “shpenzime luksi në vlerën e 256 mln euro (zyra, makina, rikonstruksione etj.,),  koncesione 470 mln euro, tendera për oligarkët pranë qeverisë 130 mln euro; fasadat e shesheve të qyteteve 400 mln euro”. Ajo shprehet se programi ekonomik i PD, është ajo që i duhet vendit. “Qeveria e rilindjes e rriti borxhin publik në 8.1 mld euro. Secili prej nesh sot ka një borxh shtesë prej 870 euro për të shlyer. Në një vend normal kjo rritje e borxhit do të shoqërohej me investime në infrastrukturë, me ujësjellës etj., por jo në qeverinë rilindase. Si u përdorën 1.8 mld euro borxh i shtuar? Shpenzime luksi në vlerën e 256 mln euro (zyra, makina, rikonstruksione etj.); koncesione 470 mln euro; tendera për oligarkët pranë qeverisë 130 mln euro; fasadat e shesheve të qyteteve 400 mln euro. Për katër vjet nuk pati asnjë shtesë page në sektorin publik, pensionistët nuk patën asnjë shtesë pensioni, ndërsa mbi 4000 familje u përjashtuan nga listat e ndihmës sociale dhe mbi 45% e popullsisë jeton me nën 5$/ditë. Partia Demokratike do të anulojë të gjitha koncesionet abuzive që nuk janë në interesin e shqiptarëve, do të drejtojë shpenzimet e qeverisë në infrastrukturën e lënë në mjerim nga rilindja. Borxhi publik nuk do të financojë asnjë shpenzim tjetër veç investimeve publike që ekonomia shqiptare të rritet. Do të ulim taksat për bizneset në 9%, si dhe TVSH-në në 15% për t’i dhënë shtysën e duhur sektorit privat, fuqizimin e konkurrueshmërisë, rritjen e pjesëmarrjes në një treg më të zhvilluar që do të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, rrit investimet publike dhe ul borxhin publik. Do të rrisim pensionin për çdo qytetar duke e çuar atë në 250 mijë lekë për pensionistë, do të rishohim të gjitha politikat sociale të implementuara nga qeveria rilindase për t’i qëndruar sa më pranë qytetarëve në ndihmë dhe nevojë. Ekonomi tregu me komponent social. Kjo i duhet sot Shqipërisë”, shprehet Tabaku.

Exit mobile version