Tabu për Interin

Të shtunën e ardhshme në San Paolo do të luhet sfida për kreun e Serisë A, Napoli-Inter. Skuadra e Sarrit do të tentojë suksesin në kampionat për të lënë pas shijen e hidhur të disfatës në Champions përballë Manchester Cityt, nga ana tjetër, përballë do të jenë zikaltërit e Interit që vijnë nga suksesi në derbin milanez, prandaj formacioni i Spalletit do të jetë përpara një prove të rëndësishme që do të konfirmojë ose jo statusin e tyre si kandidatë potencial për titullin e Serisë A.
Gjithsesi, statistikat nuk flasin në favor të Interit fitorja e të cilëve në San Paolo është kthyer në një tabu, me ziklatërit që numërojnë vetëm një fitore në 20 vitet e fundit, pikërisht në 18 tetor të vitit 1997. Falë golit të Galantes dhe autogolit të Francesko Turrinit, në ndeshjen e largët, Interi mundi Napolin e Mazzones, edhe pse më pas këta të fundit zbritën në Serinë B. Nga ai moment Napoli ka një histori suksesesh ndaj Interit me 8 fitore dhe 3 barazime në San Paolo, ku triumfi i fundit është shënuar dhjetorin e shkuar. Sfida e luftuar do të ndiqet nga më shumë se 50.000 mijë spektatorë.
Mauro Icardi është njeriu derbi, teksa me tre golat e tij ka mposhtur i vetëm Milanin, që shënoi vetëm dy herë në portën e Handanoviç. Pas javës së 8-të, Inter mbetet në vendin e dytë të renditjes, vetëm 2 pikë larg Napolit dhe 3 pikë para Juventusit e Lazios, që e ndjekin. Javën e ardhshme zikaltrit do udhëtojnë në Napoli, për t’u përballur me dominuesit absolutë të Serisë A.
Ndërkohë, Interi fillon të lëvizë që tani për merkaton e dimrit. Mediat italiane e bëjnë fakt të kryer kalimin e mesfushorit brazilian Ramires te zikaltërit në janar. Ish-futbollisti i Chelsea-it aktualisht pjesë e Jiangsu Suning, klubit kinez që është në pronësi të Zhang Jindong njeriut që ka blerë Interin, do të transferohet në Milano në formë huazimi deri në verën e ardhshme. Ramires është një lojtar me eksperiencë dhe mund të konsiderohet një vlerë e shtuar për trajnerin Luçiano Spalletti. 30-vjeçari, i cili vuan nga një dëmtim e ka mbyllur përpara kohe kampionatin kinez dhe me shumë gjasa ai do t’i bashkohet Interit që në muajin nëntor në stërvitje për të qenë gati për debutimin e tij në janar.
Është sfida mes dy skuadrave pa humbje në Serinë A. Napoli-Inter nuk vendos përballë njëra-tjetrës vetëm të parën dhe të dytën e klasifikimit, por më shumë se kaq. Sepse numrat e arritur deri tani nga të dyja skuadrat i vendosin ato në majën e klasifikimit të kampionatit elitar të futbollit italian. Të kaltrit kanë sulmin më të mirë të sezonit me 26 gola të shënuar dhe një mesatare 3.25 për ndeshje. Ashtu si Napoli zikaltrit kanë mbrojtjen më të mirë, (edhe Roma, por kjo e fundit ka një ndeshje më pak të luajtur) me vetëm 5 rrjeta të pësuara, praktikisht duhen dy ndeshje për të ndëshkuar Handanoviç-in.
Humbja e fundit e të kaltërve daton në javën e 26-të të sezonit 2016-2017, Napoli-Atalanta 0-2, dhe më pas vijnë 20 rezultate pozitive të ndara në 18 fitore dhe vetëm dy barazime. Humbja e fundit e zikaltërve ka qenë në javën e 36 të sezonit të kaluar, Inter-Sassuolo 1-2, dhe më tej vijnë 10 rezultate pozitive, të ndara në 9 suksese dhe 1 barazim. Krahasimi mund të vazhdojë për shembull me portat e paprekura, me Inter-in dhe Napoli-n në kuotën 4 (barazohen vetëm nga Juve dhe Roma). Pra, numra për të prezantuar sfidën e të shtunës ka me shumicë.

Artikulli paraprakTaulant Xhaka shënon një supergol në Rusi
Artikulli tjetërLivaja: Jam i dashuruar me Interin