Tabulatet e telefonave të kartelit trembin Bushin

Pronari i magazinës ku u kapën 1.3 tonë drogë në Derven të Krujës, Kujtim Rexhepi deklaroi dje para gjykatësve se, ai është pronari i vetëm i drogës dhe se magazinat ishin të tijat.
Pronari i magazinës ku u sekuestruan 1.3 tonë kanabis në fshatin Derven të Krujës, Kujtim Rexhepi, ka pranuar se droga dhe armët e gjetura janë të tijat, duke shfajësuar vëllezërit Gjokeja, të cilët u cilësuan nga organi i akuzës si organizatorë të veprimtarisë kriminale.
“Droga është e imja, armët janë të mbetura nga viti 1997. Magazinat i kisha në administrim prej vitesh”, u shpreh ai në gjykatë.
Mësohet se përveç vëllezërve Gjokeja, Rexhepi ka deklaruar se as i arrestuari tjetër, Nilson Gega nuk ka lidhje me drogën, ndërsa të arrestuarit e tjerë ishin vetëm punëtorë. Mësohet se Rexhepi ka pranuar se i paguante punëtorët e hashashit me 15 mijë lekë në ditë.
Ndërkohë në sallën e gjyqit pati debat mes avokatit mbrojtës të Rexhepit dhe trupit gjykues, pasi avokati pretendon se ka probleme në procesverbale. Por pavarësisht kësaj, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën “arrest me burg” për Kujtim Rexhepin.
1.3 tonë drogë, 11 të arrestuar, kallashnikovë e armë të tjera, makina luksoze dhe pajisje logjistike. Ky është bilanci i aksionit të Policisë së Durrësit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë mbrëmjen e 18 nëntorit në fshatin Derven të Krujës.
Gjatë operacionit në fshatin Derven u prangosën: Erjon Vathi, Ferit Sula, Ali Kuçi, Ersaldo Nikolla, Besmir Vathi, Erald Bardhoku, Kujtim (Valentin) Rexhepi (Smykalova), Gazmir Gjokeja, Nilson Gega, Gjovalin Gjokeja, si dhe Aurel Gjokeja.
Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi dje masën “arrest me burg” për 6 prej të arrestuarve. Pesë prej tyre u gjykuan dy ditë më parë. Edhe ndaj tyre u vendos masa arrest me burg, përveç minorenit Ersaldo Nikolla, 16 vjeç, i cili për shkak se është i mitur, gjykata vendosi detyrim paraqitjeje.

Çfarë fshihet pas tabulateve të telefonatave

Pyetja që shtrohet tani është se çfarë fshihet pas tabulateve të telefonatave të Rexhepit, i cili ka pranuar se ai është pronari i vetëm i drogës. Ka një sërë pyetjesh, të cilave Rexhepi duhet t’i japë përgjigje dhe po ashtu hetimi duhet të shkojë drejt tyre. Përderisa Rexhepi qenka pronari i vetëm i kësaj sasie droge, atëherë ku i gjeti ky person të ardhurat për të mbjellë dhe kultivuar sasinë e drogës? Bëhet fjalë për një shumë kolosale të ardhurash. Që të mbledhësh dhe të bësh gati për shitje 1.3 tonë kanabis do të thotë se ai produkt ka ardhur të paktën nga mbjellja e dhjetëra hektarëve tokë me hashash. Që të mbjellësh këto dhjetëra hektarë tokë me hashash do të thotë se ke shpenzuar shuma të mëdha parash për punëtorët e që janë përkujdesur dhe që numri i tyre duhet të ketë qenë mjaft i madh. Dhe një ditë pune në këto ara të mbjella me drogë për punëtorët shkonte nga 15 mijë deri në 30 mijë lekë në ditë. Duke qenë se kjo ka qenë farë e hashashit që kërkonte një periudhë 3-mujore për të dalë në treg është e kuptueshme se cila ka qenë vlera e shpenzuar për kultivimin e kanabisit në sasi kaq të mëdha. Prokurorët kanë dyshimet e veta që janë të logjikshme se Rexhepi nuk ka qenë i vetëm në këtë aktivitet. Njerëz të tjerë me pushtet qëndrojnë pas. Kryetari i opozitës ka deklaruar se pas magazinës së drogës qëndron kryebashkiaku i Krujës Bushi, një trafikant i njohur ndërkombëtar droge, i cili për asnjë moment të vetëm nuk e ka hedhur poshtë deklaratën e Bashës. Pse Bushi nuk ka reaguar që ditën e parë që i ka dalë emri? Cila është frika që ai ka nga hetimi? Kjo pritet që të zbardhet gjatë ditëve të ardhshme, por fakt është se në duart e prokurorëve janë edhe përgjimet disa mujore të punës hetimore të këtyre prokurorëve. Se çfarë pritet të dalë prej tyre kjo pritet që të shikohet gjatë ditëve të ardhshme. Tabulatet duhet të zbardhen dhe hetimi për këtë magazinë droge nuk do të mund të mbyllet lehtësisht. Në atë magazinë në Derven të Thumanës janë sekuestruar 1.3 tonë drogë e gatshme për shitje që e përkthyer në vlerën e tregut do të arrinte në shifrën e 10 milionë eurove.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakTatimori denoncon punësimin e militantëve të PS
Artikulli tjetërSelami Xhepa: Janë të kërcënuara siguria dhe stabiliteti