Tahiri, 1.2 miliardë lekë për zyra luksoze

Një tender prej 1.2 miliardë lekësh është shpallur këto ditë nga Ministria e Brendshme me qëllim blerjen e orendive dhe mobilimin luksoz të zyrave. Tenderi është publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike, ndërsa specifikimi është ai i blerjeve të pajisjeve të zyrave. Në llojet e mallrave që do të blihen bien në sy: banakë, kasaforta, krevate tek, rafte druri e metalike, tavolina të ndryshme, 36 frigoriferë, 29 televizorë plazma 50 inç, 8 televizorë të përmasave të tjera, etj., etj. Ajo çka bie në sy është shuma marramendëse e këtij tenderi prej 1.2 miliardë lekësh.
Ndërkohë që Tahiri shpenzoi nga paratë e buxhetit të shtetit rreth 2 milionë dollarë për rikonstruksionin e godinës së Ministrisë së Brendshme, tashmë kësaj fature të kripur i shtohet edhe një tjetër shifër marramendëse që do të “përdoret” për mobilimin e zyrave dhe orendive.
Në lidhje me këtë tender abuziv ka reaguar ashpër dje ish-Kryeministri Berisha, i cili përmes një komenti në Facebook dënon vjedhjet e parave publike nga pushteti.
“Hajdutët e shtetit lajnë menderen me paratë që u vjedhin shqiptarëve! Për orendi dhe mobilim të zyrës së Saje qorrit shpallet tenderi me 1 miliard e 228 milionë lekë!!! Dje u botua dokumenti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara, me të cilin shpallet tenderi për ‘blerje orendish dhe pajisje për mobilim zyrash’, me një fond limit 128 113 807 lekë shifër kjo stratosferike e padëgjuar deri më sot në shpenzimet e kolltukofagëve. Me këtë shumë mund të ndërtohen së paku 3 shkolla 9-vjeçare apo 4 qendra moderne shëndetësore.
Një shumë e tillë nuk është shpenzuar për pajisje dhe mobilim zyrash në 8 vite të qeverisë së PD të marra së bashku. Kësaj i thonë se, hajdutët e shtetit lajnë menderen me paratë që u vjedhin taksapaguesve shqiptarë, përfshi atyre që nuk kanë tri vakte ushqim, por që për çdo kafshatë paguajnë TVSH njëlloj sa Kryeministri, ministrat dhe Koçot e tij. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të ngrihemi dhe t’i shkulim sa më parë nga kolltuqet e krimit Edi Ramën dhe hajdutët e tij të shtetit!”, shprehet Berisha në reagimin e tij.
Tenderi në fjalë i shtohet listës së abuzimeve të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me fondet publike. Pas skandalit me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit, rezulton se Tahiri ka abuzuar edhe me një tjetër, atë të blerjes së motorave po për Policinë e Shtetit. Sipas tenderit të shpallur nga Ministria e Brendshme, në garë ftoheshin kompanitë që ofronin motorat e tipit “Aprila” me një fond limit prej 1 miliard e 39 milionë lekësh, i cili është fituar nga një kompani e paracaktuar dhe pa asnjë garë, pra duke eliminuar mundësinë e ofertuesve të tjerë. Krahas kësaj, skandali thellohet edhe më tej, kur ministria ka përcaktuar blerjen e një motori disa miliona lekë më shumë, e verifikuar kjo lehtësisht edhe në faqen e kompanisë së motorave “Aprila”.

Exit mobile version