Tahiri fsheh vrasjen për pazaret e drogës

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri fsheh vrasjen e ndodhur pak ditë më parë në Tepelenë për shkak të pazareve të drogës. Denoncimi publik është bërë nga një qytetar nga Tepelena, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-kryeministrit Berisha, i cili e informon se vrasja është kryer nga kushërinjtë e ministrit Tahiri prandaj policia e ka fshehur shkakun e vrasjes.
“Qytetari dixhital denoncon: -Saje qorri, i cili fsheh vrasjen mafioze për drogë të Festim Kanushit që ndodhi në Zhapokik pak ditë më parë! -Vrasja u krye nga kushërinjtë e Saje qorrit – Gjendja në Tepelenë është eksplozive. sb”, shkruan Berisha duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit nga Tepelena.
“Përshëndetje! Dua të vazhdoj komunikimin me ju për një ngjarje të rëndë, që ministri Tahiri po e mbulon. Para pak ditësh në fshatin Zhapokik të Tepelenës u gjend një 28-vjeçar i vrarë, Festim Kanushi, për pazaret e hashashit, por policia e mbuloi edhe e quajti vetëvrasje, sepse vrasësit janë kushërinj të Tahirit. Në rrethin e Tepelenës ka tonelata me hashash, por është për ta një ’97, një piramidë më vete, pasi edhe kursimet e fundit i hodhën për të mbjellë hashash, një rrënjë do 30 euro shpenzime, edhe u ka ngelur malli në shtëpi, se nuk ua merr njeri. E fituar doli policia që mori paradhënie 10 euro për rrënjë.
Mik i dashur, çdo arë me hashash është një bandë më vete e armatosur, vrasja e mbuluar e Zhapokikës është vetëm fillimi i vrasjeve, edhe vrasja e Nelgert Patës që është djali vëllait të Xhevdet Patës burimin e ka tek prishja e pazareve të grupeve të hashashit. Pra krimi është sheshit, menaxheri kryesor është Tërmet Peçi që ka dy autovetura nga 100 mijë euro një BMW X6 edhe “Reangrover” të fundit. Pra, krimi në Tepelenë është rritur me qindra djem të armatosur lëvizin hapur. Kërkojmë ndihmën tënde, respekte”, përfundon mesazhi i qytetarit nga Tepelena.
Ngjarja e rëndë ndodhi para dhjetë ditësh pikërisht më datën 15 nëntor. I riu Festim Kanushi mbërriti i plagosur në Spitalin e Gjirokastrës e më pas ndërroi jetë. Ai ka shkuar në spital i plagosur rëndë me një plumb, ndërsa policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se 28 vjeçari është vetëvrarë. Ndërkohë, mediat pranë qeverisë publikuan lajme të shpërndara nga policia, ku sipas saj, Festim Kanushi nuk është një emër i panjohur për policinë. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se, 28-vjeçari nga Zhapokika është arrestuar si fillim në vitin 2011 nën akuzën për vjedhje të një lokali në Sarandë, ndërsa në maj të 2012-ës bashkë me vëllain e tij u prangosën, pasi u akuzuan për prishjen e disa bunkerëve në sitin arkeologjik në Finiq. Ndërkohë, në vitin 2013 Kanushi është akuzuar pastaj për “Plagosje të lehtë me dashje” dhe “Shkatërrim prone”, ndërsa për këto vepra ai është dënuar me 3 muaj burg. Sakaq, për rastin e vjedhjes në 2011, atij iu konvertua akuza në vetëgjyqësi dhe u dënua me 40 mijë lekë gjobë. Ndërkohë, në fshatin Zhapokikë ai merrej bagëti bashkë me vëllain e vet.
Dy ditë pas ngjarjes së rëndë, burime nga organi hetimor bënë të ditur se vrasja e 28-vjeçarit Festim Kanushi ka ndodhur pas konflikteve për drogën. Policia e Gjirokastrës vazhdon ta mbajë të fshehtë këtë ngjarje, duke e cilësuar si vetëvrasje.
Para pak kohësh u vra për pazaret e drogës në Shëngjergj të Tiranës, Besnik Pudja. Edhe në këtë rast, policia e raportoi si vertëvrasje, ndërsa më pas u bë e ditur se vrasja është kryer nga bodigardi i Tahirit pas prishjes së pazarave të kanabisit. Ndërsa në Dukagjin u vra për drogën shetatsi Gjokë Arra. Mediat shkruan se në këtë vrasje ishte i implikuar shefi i Komisariatit të Shkodrës pikërisht për parcelat me kanabis.

R.POLISI

Artikulli paraprakShqiptarët e paguajnë energjinë më shtrenjtë se çdo vend i rajonit
Artikulli tjetërShoqëria civile kërkon tërheqjen e ligjit